Shqetësim nga kritikët mbi ndikimin e investimeve të Kinës në Gjeorgji

Anaklia është një qytet i vogël bregdetar në Detit të Zi. Por aty pritet të krijohet një port i madh, i ndërtuar dhe drejtuar nga kompanitë kineze.

Muajin e kaluar qeveria gjeorgjiane miratoi ofertën e një konsorciumi me kompani nga Kina dhe Singapori për ndërtimin e 49 për qind të projektit, që pritet të kushtojë disa miliarda dollarë.

Njoftimi u bë një ditë pas miratimit të një ligj të debatueshëm, që është parë si një prirje e qeverisë gjeorgjiane drejt autoritarizmit pro-Moskës. Miratimi i ligjit shkaktoi protesta kundër qeverisë.

“Ka zëra, dhe besoj se janë të besueshme, se qeveria gjeorgjiane po shqyrton mundësinë e humbjes së investimeve perëndimore dhe kompensimin e tyre me fonde nga Rusia dhe Kina”, thotë Giga Bedineishvili nga Universiteti i Lirë i Tbilisit.

Porti fillimisht ishte vendosur të ndërtohej nga një konsorcium i përbashkët amerikano-gjeorgjian. Por qeveria e anuloi marrëveshjen në vitin 2020. Konsorciumi dhe qeveria fajësojnë njëra-tjetrën për këtë.

Porti do t’i jepte Kinës qasje në një rrugë tregtare për në Evropë, që anashkalon Rusinë, e cila tani po përballet me sanksione të rënda nga Perëndimi për shkak të agresionit në Ukrainë.

Por kritikët kanë frikë se projekti mund të jetë një “kurth borxhi” për Gjeorgjinë, që mund ta ketë të vështirë të paguajë kreditë kineze për infrastrukturën.

“Qeveria gjeorgjiane zotëron 51 për qind të projektit pa pasur para për menaxhimin e tij. Ata do të marrin hua për përmbushjen e detyrimeve që kanë për këtë 51 për qindësh të projektit. Ndonëse ende nuk është fakt, unë jam e sigurt se edhe ato para do të vijnë nga Kina. Dhe ne do të përfundojmë në një situatë të ngjashme me ato të vendeve të tjera si Sri Lanka, Filipinet dhe Malajzia”, thotë Tinatin Khidasheli, kryetare e organizatës “Civil IDEA”.

Kina tashmë ka një prani përmes investimeve të saj në Gjeorgji, duke përfshirë qendrën tregtare “Hualing Tbilisi Sea Plaza”, një kompleks 420 hektarësh, me hotele dhe komplekse banesash. Kompanitë kineze janë përfshirë gjithashtu në ndërtimin e autostradave të reja.

Në vitin 2023, Gjeorgjia nënshkroi një marrëveshje partneriteti strategjik me Kinën dhe ajo është pjesë e nismës së Pekinit “Një Brez, Një Rrugë”.

Por investimet direkte kineze në Gjeorgji janë relativisht të vogla, duke kapur vlerën e pak më shumë se 47 milionë dollarëve në vitin 2023, një shumë e vogël krahasuar me investimet evropiane dhe ato amerikane.

“Kudo që shkoni, mund të shihni kompani kineze duke punuar. Në realitet, asnjë nga këto nuk është një investim. Janë të gjitha para të buxhetit të Gjeorgjisë, të cilat u jepen kompanive që ofrojnë ofertat më të mira. Realiteti këtu në Gjeorgji është se çdo kontratë e vetme që është mbi 100 milionë dollarë zakonisht fitohet nga një kompani kineze”, thotë Tinatin Khidasheli, kryetare e organizatës “Civil IDEA”.

Qeveria e Gjeorgjisë thotë se Kina mund të bëhet partneri kryesor tregtar i saj. Të tjerë bëjnë thirrje për kujdes.

“Kina dhe Rusia kanë një strategji për investimet. Ato duan të investojnë, që më pas të kenë ndikim politik dhe të kenë ndikim në zhvillimet politike në vend. Prandaj, duhet të jemi të kujdesshëm për këtë”, thotë Giga Bedineishvili nga Universiteti i Lirë i Tbilisit.

Qeveria e Gjeorgjisë i mohon akuzat se po përpiqet të distancohet nga Perëndimi. Kryeministri i saj tha se investimi i Kinës në portin e Anaklias siguron një zbatim “në nivelin më të lartë” të projektit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com