Demokratët rezervojnë ende një përgjigje negative ndaj ftesës së mazhorancës për t‘u bërë pjesë e komisioneve parlamentare të dezinformimit si edhe të luftës kundër korrupsionit. Nënkryetari i grupit parlamentar demokrat, Ervin Salianji, tha në një intervistë për RTSH-në se, me këto nisma, shumica kërkon të shtrijë kontrollin ndaj institucioneve.
“PS së pari nuk e shtrin dorën përveç rasteve kur do të vjedhë ndonjë gjë dhe ky është rasti ku PS po kërkon që përmes krijimit të komisioneve, në rastin tjetër të kufizojë lirinë e shprehjes te portale apo media kritike dhe në një rast të kufizojë të drejtat që kanë të bëjnë me ushtrimin e të drejtave kushtetuese të organeve të pavarura”, tha Salianji.
Sa i takon çështjes së mandatit të Kryetarit të PD-së Sali Berisha, i cili ndodhet në masën e arrestit të shtëpisë që prej 30 dhjetorit, Salianji përjashton çdo mundësi që kuvendi të shkoj në djegien e mandatit të tij.
“Kushtet e zotit Berisha nuk jemi në kushtet që parashikon Kushtetuta për mbarimin e mandatit. Zoti Berisha nuk po mungon pa arsye në Kuvend për 6 muaj. I është kufizuar liria me një vendimmarrje, në këndvështrimin tim të padrejtë”, theksoi ai.
Sipas Salianjit, nëse shumica ndërmerr një akt të tillë “antikushtetues” do të çonte në ekstrem përplasjen mes zgjedhësve të Berishës dhe kundërshtarëve politik të tij.
/a.r