Liderë dhe përfaqësues të mbi 90 vendeve të botës u bën bashkë në Zvicër për samitin e paqes në Ukrainë. Mirëpo, aty munguan gurët e mëdhenj të këtij shahu gjeopolitik, presidentët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kinës dhe ai që trazoi botën, lideri rus, Vladimir Putin.
Megjithatë një deklaratë përfundimtare ka ardhur: “Çfarëdo kërcënimi apo përdorimi të armëve bërthamore në luftën aktuale kundër Ukrainës është e papranueshme”, lexohet në tekstin e firmosur nga shumica e vendeve të botës. Por mësohet se shtetet e jugut global si Arabia Saudite, Meksika, India, Brazili, Afrika e Jugut dhe Indonezia nuk e kanë mbështetur deklaratën. Në tekst theksohet se duhet respektuar integriteti territorial i Ukrainës, ndërsa kërkohet angazhim për shkëmbimin e pengjeve dhe të burgosurve, si dhe për sigurinë ushqimore të botës. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenski, thotë se Rusia nuk është gati për paqen.
“Sa i përket negociatave me Rusinë, e kam thënë qëndrimin tim në mënyrë të detajuar. Rusia mund t’i nisë negociatat me ne që nesër, pa pritur për asgjë, por vetëm nëse tërheq trupat nga territori ynë i ligjshëm. Kjo nënkupton respektimin e kartës së OKB”, tha Zelensky.
Zelensky shtoi se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk ka ndërmend t’i japë fund kësaj lufte, prandaj kërkoi të bëhet gjithçka për ta ndaluar atë, qoftë me ushtri apo diplomaci.
“Ndihma perëndimore nuk është mjaftueshëm për ta fituar luftën”, nënvizoi presidenti ukrainas, duke thënë se dukshëm mbështetja ndërkombëtare për lirinë e vendit të tij nuk është zbehur. Ai njoftoi se një tjetër samit paqeje mund të organizohet për pak muaj. Qëllimi i këtyre organizimeve është që të arrihet një mbështetje e madhe për një proces që mund të ndihmojë në mbylljen e luftës në Ukrainë.
/a.r