Sekretari i Marrëdhënieve me Publikun, Edvin Kulluri deklaroi në emisionin “3D nga Alban Dudushi” se nga ana ligjore Partia Demokratike e z. Lulzim Basha ka pushuar së ekzistuari.
“Ky grupim politik në emrin e Partisë Demokratike pushon së ekzistuari. Nga pikëpamja juridike situata është e qartë dhe nuk ka nevojë për koment. Ky është një fakt që këtë e ka vendosur drejtësia për të cilën ne kemi thënë që do e respektojmë”.
Gjithashtu Kulluri u shpreh se patjetër që do merret një vendim në këtë situatë sepse do ketë një kontakt me strukturat.
Duke komentuar vendimin e sotëm të Gjykatës së Apelit për kthimin e vulës dhe logos zyrtare grupimit të Rithemelimit drejtuar nga Sali Berisha, Kulluri u shpreh se kjo çështje nuk duhet të vazhdoj pafund nëpër gjykata, ndaj sikurse u shpreh ai, nuk është i mendimit që të ndiqet në instanca të tjera.
“Për mendimin tim nuk duhet të ndiqet më kjo çështje nëpër gjykata duke vazhduar pafund kjo çështje”.