Shkoi të takonte mbesën, por italiani e goditi! Kush ishte ‘Lili’, shqiptari ‘i qetë dhe i sjellshëm’ që u vra pabesisht

Ilirjan Minaj u vra në shkallët e pallatit pas një debati… Mediat italiane përcjellin detaje të tjera të rënda, për vrasjen e ndodhur rreth orës 23:00 të së premtes, në një pallat në Bibbiano të Reggio Emilia.

41-vjeçari Riccardo Stefani, banues në këtë ndërtesë, vrau me thikë shqiptarin 61-vjeçar, një zejtar që jetonte prej kohësh në Itali, e që banonte në të njëjtën lagje. Minaj, të cilin të gjithë e thërrisnin ‘Lili’, kishte shkuar për të takuar mbesën.

Por nëpër shkallë takoi Stefanin me të cilin shkëmbyen disa fjalë. Fjalët pasuan një sherr që përfundoi me sulmin brutal, me një thikë kuzhine. Minaj mori plagë në kraharor dhe fytyrë. Ai gjeti vdekjen në pak minuta, në shkallët e pallatit.

Në foto autori Riccardo Stefani dhe viktima Ilirjan Minaj
Në foto autori Riccardo Stefani dhe viktima Ilirjan Minaj

Menjëherë pas kësaj Stefani u mbyll në shtëpi, aty ku dhe u arrestua nga karabinierët. Ishin këta të fundit që e shpëtuan edhe nga zemërata e familjarëve të 61-vjeçarit. Shumë prej tyre, me të marrë vesh se çfarë kishte ndodhur, shkuan në vendngjarje dhe pritën derisa 41-vjeçari të dilte për ta sulmuar. Ata madje goditën edhe makinën e karabinierëve ku u fut vrasësi. Ky i fundit akuzohet për vrasje të rëndë me dashje. Provat kundër tij janë të shumta, nga dëshmitë e fqinjëve deri te thika që iu sekuestrua në banesë.

Miq e të afërm jashtë godinës ku u vra Ilirjan Minaj

Ilirjan Minaj ishte një njeri i qetë

Krimi tronditi mbarë komunitetin e qetë në qendër të Bibbiano. Hidhërimi është i madh. Ilirjan Minaj ishte një njeri i qetë dhe i sjellshëm. Jetonte në Reggio Emilia prej gati 20 vitesh me bashkëshorten Natasha dhe vajzën 19-vjeçare. Kishte vendosur të transferohej në zonën ku gjeti vdekjen, pasi aty kishte dhe të afërm të tjerë. Mes tyre edhe mbesën që kishte shkuar për të takuar, në momentin kur u vra. Merrej me punë të vogla dore dhe mirëmbante godina të ndryshme banimi. E shihje shpesh në lokal, duke biseduar me miqtë. Flisnin mbi të gjitha për sportin, që e donte shumë.

Në foto shqiptari Ilirjan Minaj

E shkuara e trazuar e Riccardo Stefanit

41-vjeçari Riccardo Stefani jetonte me nënën e tij të moshuar. Problemet me drogën dhe ato ekonomike i kishte të vazhdueshme dhe në të shkuarën kishte qenë shpesh protagonist i sherreve në publik. Ndaj tij kishte denoncime të shumta për grabitje nëpër dyqane të zonës, e për vandalizëm.

Pallati në qendër të Bibbiano-s ku ndodhi vrasja
Pallati në qendër të Bibbiano-s ku ndodhi vrasja

Hipotezat rreth dinamikës

Minaj hyri në ndërtesë rreth orës 23:00 dhe u drejtua për nga shtëpia e mbesës. Por te sheshpushimi i shkallëve takoi Stefanin. Të dy nisën të flisnin dhe debati u nxeh me shpejtësi. Nuk përjashtohet mundësia që ky nuk ishte debati i parë që palët kishin dhe një mëri më e hershme mund të jetë bërë shkak për përshkallëzimin e situatës. Minaj mësohet se e ndoqi Stefanin dhe goditi me forcë derën e shtëpisë së tij. Ndërsa ky i fundit u rikthye me thikën e kuzhinës në dorë dhe e goditi për vdekje. Nuk është e qartë nëse 41-vjeçari u rikthye në shtëpi për t’u fshehur, apo për t’u armatosur.

Momenti kur të afërmit e Ilirjan Minajt tentojnë të sulmojnë vrasësin

Parandalimi i hakmarrjes nga karabinierët

Ishte mbesa e Lilit që telefonoi menjëherë emergjencën, kohë kur Stefani u mbyll brenda shtëpisë së tij. Karabinierët, një moment që mbërritën në vendin e ngjarjes, arritën që ta bindin autorin të dorëzohej. Ndërkohë, një grup i vogël miqsh dhe të afërm të Minajt, pasi morën vesh se çfarë kishte ndodhur, u mblodhën jashtë ndërtesës. Dhe në momentin që oficerët dolën me Stefanin, ata u përpoqën ta sulmonin 41-vjeçarin, duke goditur disa herë makinën e karabinierëve. Megjithatë tentativa e tyre u bllokua nga forcat e shumta të policisë që kishin shkuar në vendin e ngjarjes.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com