Reuters: Si funksionon marrëveshja për emigrantët mes Italisë e Shqipërisë?

Vizita e kryeministres italiane, Georgia Melonit, të mërkurën që lamë pas, në Lezhë, bëri bujë në mediat ndërkombëtare duke sjellë në vëmendje dhe njëherë marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët.

Media “Reuters” i ka dedikuar një artikull kësaj marrëveshje duke sqaruar në mënyrë mikroskopike qëllimin dhe brendësinë e marrëveshjes.

Çfarë është në marrëveshje?

Marrëveshja, e rënë dakord për pesë vitet e para, parashikon zbarkimin e 36,000 emigrantëve në vit në portin shqiptar të Shëngjinit, rreth 75 km (45 milje) në jug të kryeqytetit të vendit, Tiranës. Rastet e tyre do të trajtohen në një qendër që po ndërtohet në një bazë ajrore në Gjadër, e cila mund të mbajë 3000 njerëz.

Të dy objektet do të kenë personel italian dhe do të funksionojnë nën juridiksionin italian. Megjithatë, siguria e jashtme do të bëhet nga rojet shqiptare.

A mund të dërgohet çdo migrant në shqipëri?

Jo. Vetëm ata emigrantë që vijnë nga vende që Italia i konsideron të sigurta do të mund të dërgohen në Shqipëri. Aktualisht ka 21 vende të tilla, duke përfshirë Bangladeshin, Egjiptin, Bregun e Fildishtë dhe Tunizinë. Vitin e kaluar 56,588 emigrantë mbërritën në Itali nga këto katër vende.

Meloni ka thënë se gratë shtatzëna, të miturit dhe personat e tjerë vulnerabël nuk do të dërgohen në Shqipëri.

Sa do të kushtojë?

Meloni tha të mërkurën se skema do të kushtonte 670 milionë euro (729 milionë dollarë) për pesë vjet – 7.5% e asaj që Italia shpenzon aktualisht në qendrat e saj të pritjes së emigrantëve.

Si do të funksionojë?

Ideja është që emigrantët e përzgjedhur të dërgohen direkt në Shqipëri pasi të shpëtohen në det. Meloni ka thënë se zyrtarët do të përpiqen të shqyrtojnë kërkesat për azil brenda 28 ditëve, shumë më shpejt koha që duhet aktualisht në Itali.

Kujtdo që i pranohet kërkesa do të sillet në Itali.

Shumica e kërkesave pritet të refuzohen, sepse vendet nga vijnë emigrantët konsiderohen të sigurta, gjë që kufizon automatikisht hapësirën për dhënien e azilit. Ata, kërkesat e të cilëve refuzohen, do të ndalohen përpara riatdhesimit të tyre eventual.

Megjithatë, ky proces është shumë i ngadaltë, sepse disa vende refuzojnë të marrin mbrapsht shtetasit e tyre ose vendosin një numër të kufizuar për të kthyerit. Ekziston mundësia që qendra në Shqipëri të mbushet me shpejtësi me emigrantë që presin të kthehen në shtëpi.

Ende nuk është përcaktuar nëse ata që presin një vendim përfundimtar për statusin e tyre të refugjatit do të mund të largohen nga qendrat. Shumë emigrantë në Itali zhduken nga qendrat e pritjes dhe shpërndahen nëpër Evropë, duke i shpëtuar vëzhdimit të autoriteteve.

Kur do të fillojë?

Ishte menduar të fillonte këtë muaj, por qendrat nuk janë ende të përfunduara. Meloni tha se dy qendrat do të funksionojnë nga 1 gushti, por shtoi se Gjadri nuk do të mund të merrte kuotën e plotë të planifikuar prej 3,000 menjëherë.

Çfarë përfiton italia nga marrëveshja?

Zyrtarët italianë kanë thënë se marrëveshja mund të ndihmojë në lehtësimin e mbipopullimit në qendrat e përpunimit në Itali. Meloni tha gjithashtu të mërkurën se do të ishte një “parandalim i jashtëzakonshëm” për ata që mendojnë të vijnë në Itali. Shqipëria nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, është një vend i varfër dhe nuk ofron akses të lehtë në veriun e pasur të Evropës.

Çfarë përfiton Shqipëria nga marrëveshja?

Duke ndihmuar Melonin, qeveria në Tiranë po siguron mbështetjen e saj teksa punon të bëhet anëtare e BE-së. Kjo po i tregon gjithashtu pjesës tjetër të Evropës se është e gatshme të ndihmojë bllokun 27-vendesh që të përballet me një nga problemet e tij më të vështira të viteve të fundit. Shqiptarët e zakonshëm kanë thënë gjithashtu se kjo është një mënyrë për të falënderuar Italinë, e cila pranoi mijëra shqiptarë që ikën nga varfëria pas rënies së komunizmit në 1991.

Si ndryshon nga marreveshja e Britanisë me Ruandën?

Britania dëshiron të dërgojë azilkërkues në Ruandë, por është një plan shumë i ndryshëm nga nisma e Italisë. Një ndryshim kryesor është se migrantët e dërguar në Ruandë do të duhet të qëndrojnë në vendin qendror të Afrikës edhe nëse fitojnë statusin e refugjatit. Një tjetër ndryshim është se, ndryshe nga Ruanda, ata që dërgohen në Shqipëri do të mbrohen nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut./ Reuters

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com