Eugen Beçi, ish-Kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, në emisionin “Open” në News24, tha se emisioni në RAI3 duhet parë si një skaner për organet ligjzbatuese në Shqipëri që kanë si objektiv luftën ndaj krimit, drogës dhe pastrimit të parave në Shqipëri.
Beçi tha se gazetari me shumë delikatëse nxorri zbuluar edhe Gjykatën Kushtetuese lidhur me marrëveshjen për kampet e refugjatëve, duke renditur të gjitha përplasjet apo shkeljet me konventat europiane.
“A kemi ushtrim ndikimi nga legjislatori dhe ekzekutivi shqiptar? Organet ligjzbatuese kanë dështuar për të ndaluar takimet mes Kryeministrit me kontakte të papërshtatshme. Kemi rastin e McGonigal, kemi rastin e këtij biznesmenit që ka marrë licencën për kazinotë, pra kemi një dështim”, tha Beçi.
Ai u shpreh se duhet të ketë një hetim proaktiv nga SPAK lidhur me dhënien e licencës, pra si u përfitua kjo licencë kazinoje, a ka një përshpejtim të dhënies së kësaj licence krahasuar me rastet e tjera.
“A do e merrte ky person licencën nëse nuk takohej me Edi Ramën? A ka ndikuar ky takim në pajisjen më shpejt me licencë apo jo, pra këto duhet të dalin nga një hetim i Prokurorisë”, tha Beçi.
Ai tha se organet ligjzbatuese shqiptare duhet të verifikojnë, qoftë edhe përmes tabulateve telefonike.
“Kush është ky personi në Durrës që mban kontaktet, me kë komunikon ai? A ka kontakte me elementë kriminalë, çfarë flet me to”, u shpreh Beçi, duke shtuar se SPAK duhet të hetojë me detaje çfarë është deklaruar në emisionin e RAI3.
Beçi tha se narko-shteti nuk është që kryetari i Sinaloas të bëhet Kryeministër, por përfshirja e zyrtarëve në kanabizimin e vendit, në trafikun e narkotikëve, në krijimin e kushteve për pastrimin e parave.
“Ahmetaj është një situatë e bukur proceduriale, pasi Prokuroria mund të qaset si te një i penduar. SPAK për të provuar se sa qëndrojnë deklaratat e Ahmetajt, duhet të qaset dhe të negociojë për një marrëveshje të penduari”, tha Beçi./m.j