Gjykata e Apelit la në burg specialistin e Zyrës së Shërbimit Pogradec, pasi falsifikonte kartat e identitetit për personat që kalonin ilegalisht kufirin.
Në njoftimin e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm theksohet se:
Nga ana e Specialistëve të Seksionit për Krimin Ekonomiko – Financiar janë marrë informacione në rrugë operative se shtetas të ndryshëm në bashkëpunim me njëri tjetrin kundrejt pagesës ndihmojnë persona të caktuar për kalim të paligjshëm të kufirit nëpërmjet falsifikimit të kartave të identitetit të shteteve Europiane, i dyshuar për kryerjen e këtyre veprimeve është shtetasi me iniciale Zh. L. Personi nën hetim, rezulton i punësuar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, me detyrë specialist në Zyrën e Shërbimit Pogradec.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka zhvilluar gjykimin lidhur me marrjen në pyetje për vlerësimin e kushteve dhe kritereve të caktimit të masës së sigurimit “arrest në burg”, për personin nën hetim, shtetasin me iniciale Zh. L, i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, “Falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave” dhe “Falsifikimit të formularëve”, parashikuar nga nenet 186, 189 dhe 190 të Kodit Penal.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 1310 Akti, datë 19.05.2024, ka vendosur:
– Ndryshimin e masës se sigurimit “arrest ne burg”, e parashikuar nga neni 238 i K.Pr. Penale dhënë ndaj personit nën hetim Zh. L, me vendimin nr. 1230 akti, datë 11.05.2024 Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
– Caktimin si masë së sigurimit personal ndaj personit nën hetim Zh. L atë të “arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i K.Pr. Penale.
– Ngarkohet Policia Gjyqësore për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga Prokuroria pranë Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila kërkoi prishjen e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë në lidhje me ndryshimin e masës së sigurimit “arrest në burg” dhe caktimin e masës së sigurisë “arrest në shtëpi” ndaj personit nën hetim me iniciale Zh. L dhe pranimin e kërkesës së Prokurorisë për vazhdimin e masës se sigurisë “arrest në burg” ndaj këtyre personave nën hetim sipas kërkesës së Prokurorisë.
Në përfundim të gjykimit, sot më datë 03.06.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtare Znj. Edlira Petri vendosi:
-Miratimin e vendimit nr. 1310 akti, datë 19.05.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Tiranë, më 03.06.2024 GJYKATA E APELIT TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM/m.j