Fajtor për 34 akuza, zbulohet kur do të jepet dënimi për Donald Trump

Donald Trump hyn në historinë e SHBA si ish-presidenti i parë që shpallet fajtor për disa vepra penale. Pas dy ditësh diskutime, një juri prej 12 anëtarësh në Nju Jork e gjeti atë fajtor për 34 akuza për falsifikimin e regjistrave të biznesit të tij për të mbuluar një pagesë në këmbim të heshtjes së yllit të filmave për të rritur Stormy Daniels, pak para zgjedhjeve të 2016-ës. Trump, i cili e ndoqi procesin në sallë, mbylli sytë, teksa dëgjonte vendimin e jurisë, ndërsa pas seancës ai e cilësoi atë një turp.

“Ky ishte një gjyq i montuar nga një gjyqtar në konflikt dhe i korruptuar. Ky ishte një gjyq i turpshëm. Vendimi i vërtetë do të jepet me 5 nëntor nga njerëzit. Të gjithë e dinë se çfarë ka ndodhur këtu. Unë jam një njeri i pafajshëm”, tha Trump.

Gjithsesi masën e dënimit për Trump, gjyqtari kryesor i çështjes theksoi se do ta shpallë më 11 Korrik, pak ditë para Kuvendit Kombëtar Republikan, ku Trump pritet të shpallet zyrtarisht kandidati i Partisë Republikane për president.

Pas këtij vendimi pati shumë reagime nga përfaqësues të lartë amerikanë, ndërsa stafi elektoral i Presidentit Joe Biden shkroi vetëm një fjali në rrjetin “X” ku deklaroi se “ka vetëm një mënyrë për ta mbajtur Donald Trump jashtë Zyrës Ovale dhe ajo është kutia e votimit”.

Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson e dënoi këtë vendim të gjykatës, ndërsa e cilësoi të enjten si “Ditën e turpshme në historinë amerikane”.Vendimi i fut Shtetet e Bashkuara në një terren të panjohur përpara zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit.

Kjo pasi sipas legjislacionit amerikan dënimi për Trump mund të variojë nga një gjobë deri në katër vite burgim. Por sipas ekspertëve të së drejtës kjo nuk pritet ta ndalojë Trump të kandidojë për president më 5 nëntor.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com