Zbardhja e bisedave në aplikacionin SKY ECC mes anëtarëve të grupeve kriminale nxorri në pah edhe përfshirjen e vajzave të reja në këto grupe.
Pas vrasjes së Santiago Malkos, Ervis Martinaj duke u ndjerë i kërcënuar kishte nisur ndjekjen e ish- shokut të tij, Leonard Duka për ta eliminuar.
Në një bashkëbisedim, Kristos Teta e ka njoftuar Martinajn se Leonardi kishte ardhur në Tiranë dhe kishte kontaktuar me një vajzë me qëllim që ajo të nxirrte në takim dy vajza të tjera.
Martinaj e ka pyetur Tetën në lidhje me vajzën që komunikon me Leonard Dukën dhe i jep porosi të bëjë kujdes se mos e shet ajo.
Në një prej takimeve, vajza ka komunikuar në Spanchat me Ervis Martinajn dhe i ka konfirmuar se është për darkë me Leonardin dhe nuk flet dot. Por ajo që Martinaj i trembej rezultoi e vërtetë.
Plani i tij për të nxjerrë në pritë Dukën nëpërmjet vajzave ishte zbuluar dhe tani ishte vetë Duka ai që po përpiqej ti vinte në kurth. Vajzat që dilnin në takime ishin në rrezik, pasi banda e Dukës kishte planifikuar edhe eliminimin e tyre:
“Po më shesin mua po unë kam e marrë vesh dhe këta nuk dinë gjë fare që unë e di dhe jemi super fare. Po organizoj një takim me një femër ku dua unë po nuk duhet të merret vesh se na del personi që na tha ne. Mbasi t’ja plasim këtyre, do montojmë në makinë atë bombën, dhe kur të jenë duke ikur, do lëmë njeri ti bjerë telefonit që ti plasim dhe ato prostitutat”.
Më datë 11 dhe 12 gusht 2020, Leonard Duka ka komunikuar me mikun e tij Altin Gega për takimin me vajzat që do të përdoreshin si karrem.
Ata ishin bërë gati me armë dhe qëndronin në gatishmëri, por për fat t? mirë takimet nuk u zhvilluan pasi nëse plani do të ecte mund të përfundonte në një tragjedi edhe për vajzat të cilave do t’u montohej bombë në makinë./m.j