Miratohet me 74 vota pro Komisioni i Posaçëm Antikorrupsion, Salianji e 5 deputetë demokratë votuan kundër, 56 të tjerë e bojkotuan

Komisioni i Posaçëm Antikorrupsion i propozuar nga PS ka kaluar sot në Kuvend me 74 vota pro dhe 6 kundër.

Deputetët demokratë që votuan kundër ishin Ervin Salianji, Albana Vokshi, Lindita Metaliaj, Elda Hoti, Ilda Dhori dhe deputeti i pavarur Agron Shehaj.

Ndërkohë 58 deputetët e tjerë opozitarë të cilët ishin në Kuvend, zgjodhën që të mos votonin.

Seanca e sotme parlamentare është shoqëruar me debate pasi opozita është shprehur kundër ngritjes së këtij komisioni. Lulzim Basha e ka quajtur atë një manovër elektorale.

Komisioni i Posaçëm do të zhvillojë veprimtarinë e tij në një afat kohor 10 mujor. Në rast nevoje, me kërkesë të arsyetuar të komisionit, Kuvendi mund të vendosë zgjatjen e afatit të ushtrimit të veprimtarisë së komisionit.

Edhe pse opozita ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë, parashikohet që Komisioni të ketë 11 anëtarë, 6 nga mazhoranca dhe 5 nga opozita. Drejtimin e këtij komisioni do ta ketë shumica parlamentare ndërsa nënkryetari i takon pakicës.

SYNIMET E KOMISIONIT

Komisioni i Posaçem do të ketë si synim përmirësimin dhe konsolidimin e praktikave të mirëqeverisjes në të gjitha nivelet, thellimin e luftës kundër korrupsionit dhe forcimin e mëtejshëm të zbatimit të ligjit, duke patur si udhërrëfyes gjetjet dhe rekomandimet e raporteve të Bashkimit Evropian dhe raportit Screening të Komisionit Evropian për grupkapitullin e parë, si dhe adresimin e masave të udhërrëfyesve të miratuar nga qeveria “Për shtetin e së drejtës” dhe “Reformën në administratën publike”.

EKSPERTET

Për të realizuar një proces sa më gjithëpërfshirës e transparent, do të ngrihet dhe funksionojë grupi i punës i ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë me përfaqësues të propozuar nga institucionet e drejtësisë, institucionet e pavarura dhe agjensitë ekzekutive ligjzbatuese, administrata publike, bota akademike, universitetet publike dhe jopublike, institute e organizata të shoqërisë civile dhe medias, si edhe organizata të sipërmarrjes, etj.

Grupi i ekspertëve do të organizohet në 3 nëngrupe që do të angazhohen për 3 fushat e objektit të veprimtarisë së këtij komisioni. Ekspertët do të angazhohen në funksion të temave përkatëse, që lidhen me fushat e tyre të veprimtarisë në procesin e kryerjes së analizës dhe hartimin e Planit Kombëtar të Veprimit si dhe propozimin e masave përkatëse legjislative e institucionale.

Numri dhe përbërja e grupit të ekspertëve miratohet me vendim të komisionit.

Komisioni mund të ftojë për konsultime për çështje specifike edhe agjenci dhe ekspertë të tjerë vendas e ndërkombëtarë të mirënjohur në fushat përkatëse./m.j

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com