Balona të Koresë së Veriut lëshuan jashtëqitje dhe mbeturina të tjera në rrugët e mbushura me njerëz, përpara blloqeve të banimit dhe në zona të tjera publike në gjithë Korenë e Jugut, të mërkurën, në përshkallëzimin e fundit të tensioneve nga Pheniani me fqinjin e tij jugor.
Ushtria e Koresë së Jugut tha se gjeti rreth 260 balona që përmbanin jashtëqitje kafshësh dhe mbeturina, duke akuzuar Korenë e Veriut për një akt “çnjerëzor dhe të nivelit të ulët”.
Mediat lokale sugjeruan se balonat ishin përhapur në mbarë vendin. Fotografitë e bëra publike nga ushtria e Koresë së Jugut tregonin lloje të ndryshme mbeturinash, disa të përziera me një lëndë kafe të papërcaktuar, të shpërndara nëpër rrugë dhe në ato që dukej të ishin hyrje të blloqeve të banimit, duke përfshirë në kryeqytetin Seul.
Përmes një deklarate, ushtria e Koresë së Jugut tha se veprimet ishin në shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe rrezikojnë seriozisht sigurinë publike. Të mërkurën, banorëve të Koresë së Jugut në provincat kufitare, iu dërguan mesazhe telefonike përmes së cilës paralajmëroheshin që të shmangnin aktivitetet në natyrë për shkak të objekteve të panjohura që supozohet se vinin nga Koreja e Veriut.
Koreja e Veriut u zotua më herët gjatë kësaj jave se do të përgjigjej “me të njëjtën monedhë” pasi një aktivisti i njohur për mbrojtjen e të drejtave të njeriut lëshoi në Korenë e Veriut, balona që mbanin fletëpalosje kundër kësaj të fundit, dhe po ashu edhe USB me përmbajtje të ndryshme muzikore, televizive, filmike apo letrare të Koresë së Jugut. Në një deklaratë plot sarkazëm, të publikuar të mërkurën vonë, Kim Yo Jong, motra me shumë pushtet e udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, i cilësoi balonat e mbushura me mbeturina si një “dhuratë të sinqertë” dhe akt “i lirisë të shprehjes” nga ana e popullit të Koresë së Veriut.
Deklarata dukej të ishte një tallje mbi komentet e zyrtarëve të Koresë së Jugut, të cilët kanë thënë se nuk mund të fajësohen për pamundësinë e tyre për të ndaluar aktivistë të Koresë së Jugut që të lëshojnë fletëpalosje në Korenë e Veriut.
Në të ardhmen, Koreja e Veriut do t’i përgjigjet lëshimeve të fletëpalosjeve të tilla me dërgimin e “dhjetëra herë” më shumë balonave në Korenë e Jugut, thuhet në deklaratën e zonjës Kim, e cila u bë publike nga Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve.
Lufta e balonave
Qeveria totalitare e Koresë së Veriut është ankuar për vite me radhë për aktivistët e Koresë së Jugut që përhapin materiale kundër Phenianit. Fletëpalosjet shpesh kritikojnë shkeljen e drejtave të njeriut në Koresë e Veriut ose tallen me udhëheqësin e saj Kim Jong Un dhe ndonjëherë dërgohen me sende me vlerë, të tilla si dollarë ose USB.
Koreja e Veriut ka shprehur zemërim veçanërisht ndaj Park Sang-hak, një dezertor koreano-verior dhe aktivist i zëshëm për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, i cili në fillim të këtij muaji dërgoi rreth 20 balona të mëdha në Korenë e Veriut. Ishte rasti i parë që zoti Park ndërmorri këtë akt pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të Koresë së Jugut, në shtator, që shfuqizoi ligjin që ndalonte lëshime të tilla.
Ligji u miratua gjatë udhëheqjes së ish-presidentit të Koresë së Jugut, Moon Jae-in, i cili u përpoq të përmirësonte marrëdhëniet me Korenë e Veriut. Pasardhësi i tij, presidenti konservator Yoon Suk Yeol, ka mbajtur një qëndrim më të fortë kundër Koresë së Veriut. Edhe pse Koreja e Veriut e përçmon lëshimin e fletëpalosjeve, për dekada me radhë ia “ka kthyer nderin” Koresë së Jugut duke shpërndarë atje propagandën e saj. Fletëpalosjet e Koresë së Veriut ishin pjesë e përpjekjeve prej afro një dekade për të fituar mbështetjen e koreano jugorëve dhe për nxitur mos-besimin e tyre tek qeverisja, thotë Jacco Zwetsloot, i cili drejton Podkastin NK News me bazë në Seul, që trajton çështje mes dy Koreve. Por, lëshimi i balonave të mbushura me jashtëqitje, sipas tij, ka të ngjarë të pasqyrojë një ndryshim në qasjen e Koresë së Veriut ndaj Koresë së Jugut.
“Nëse lëshoni jashtëqitje, letra higjenike apo mbeturina të tjera, ekziston mundësia që në vend t’i afrosh, i largon njerëzit”, tha zoti Jacco Zwetsloot. “Mund të jetë pjesë e një strategjie që synon t’i bëjë koreano jugorët të ndihen dëshpërimisht të ndotur dhe pa vlera për të qenë pjesë e planeve për bashkim në të ardhmen me popullsinë e Koresë së Veriut”, thotë ai.
Më herët gjatë këtij viti, Pheniani mohoi zyrtarisht për objektivin e saj afatgjatë për bashkimin e Koreve duke deklaruar se Koreja e Jugut do të jetë kundërshtarja e saj e përhershme.
Tensionet më të gjëra
Veprimet janë në përputhje me retorikën gjithnjë e më armiqësore të Koresë së Veriut kundër Koresë së Jugut, që ka nxitur disa analistë të arrijnë në përfundimin se udhëheqësi Kim mund të jetë duke përgatitur një provokim më serioz, duke përfshirë ndoshta një lloj konfrontimi ndërkufitar. Koreja e Veriut mund ta shohë me vlerë ngritjen e tensioneve përpara zgjedhjeve presidenciale të muajit nëntor në Shtetet e Bashkuara, pjesërisht në mënyrë të tillë që Pheniani të mbetet përparësi e politikës së jashtme amerikane, thotë Jean Lee, një specialist i Koresë në Qendrën Lindje-Perëndim me qendër në Havai.
Të martën, Koreja e Veriut pranoi se dështoi në përpjekjet e saj për të dërguar në hapësirë një satelit të ri zbulimi ushtarak për shkak të shpërthimit të motorit të raketës gjatë fluturimit.
Koreja e Veriut lëshoi me sukses satelitin e saj të parë të zbulimit vitin e kaluar dhe është zotuar të lëshojë disa të tjerë si pjesë e përpjekjeve saj për të mbikqyrur forcat amerikane në rajon./VOA