Rama në Athinë, Mitsotakis: Marrëdhënia me Shqipërinë, komplekse! Jemi fqinjë, “të dënuar” të jetojmë bashkë

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis ka folur në emisionin “Morning Zone” lidhur me fjalimin që kryeministri Edi Rama mbajti disa ditë më parë në Athinë, në takimin që zhvilloi me komunitetin shqiptar që jeton dhe punon në shtetin grek.

Mitsotakis është shprehur se marrëdhënia e Greqisë me Shqipërinë është komplekse. Sipas kreut të qeverisë greke, Greqia dhe Shqipëria janë dy shtete fqinje, “të dënuar” të jetojnë bashkë.

Sa i takon Fredi Belerit, Mitsotakis thotë se mënyra se si çështja e tij u trajtua, është e papranueshme.

Pjesë nga intervista:

Anna Livathynou: Po dëgjojmë sa i zhgënjyer është kryeministri shqiptar Edi Rama, që së fundmi pretendon se shqiptarëve që jetojnë në Greqi ju është kërkuar nën presion ndryshimi i emrit. A do të vijojë bllokimi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian?

Kyriakos Mitsotakis: Marrëdhënia jonë me Shqipërinë fqinje është tashmë komplekse.  Më duhet të them se mënyra se si Shqipëria e trajtoi kryetarin e zgjedhur të Bashkisë së Himarës ishte krejtësisht e papranueshme. Ai tani është kandidati ynë për eurodeputet. Ne kemi në fletëvotime dy kandidatë nga minoriteti etnik grek i Shqipërisë.

Përtej kësaj, mund të them që ne kemi qindra mijëra shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në vendin tonë. Fëmijët e tyre janë shtetas grekë, jemi bashkuar besoj, do të thoja në mënyrë harmonike në shoqërinë greke, shkojnë në shkollë, studiojnë.

Mendoj se çdo gjë që helmon marrëdhëniet mes dy popujve nuk është e mirë për të dy popujt tanë. Jemi fqinjë, jemi “të dënuar” të jetojmë bashkë.

Përtej kësaj, Shqipëria duhet të dijë, dhe e njëjta gjë vlen jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Maqedoninë e Veriut se ka rregulla në lidhje me rrugën e saj evropiane. Respekti për shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut dhe minoritetet është një bërthamë qendrore e asaj që ne e quajmë acquis evropiane, të cilën Shqipëria duhet ta respektojë.

Anna Livathynou: Pra, në një lirim të mundshëm të Freddy Beleris, a mendoni se kjo do t’i ndihmonte sadopak marrëdhëniet Greqi-Shqipëri, për të zbutur gjithë këtë tension?

Kyriakos Mitsotakis: Besoj se… Le të shohim fillimisht se çfarë do të ndodhë në zgjedhjet evropiane. Ka mundësi që këtë çështje ta zgjidhin vetë qytetarët grekë me zgjedhjen që do të bëjnë për eurodeputetet në Parlamentin e ardhshëm Europian./m.j

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com