Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka replikuar edhe një herë me kundërshtarët e paktit të saj me kryeministrin shqiptar Rama për trajtimin e emigracionit të paligjshëm. Këtë herë nga rrjeti i saj social i quajtur TELEMELONI, ajo e akuzoi të majtën italiane se ka bërë gjithçka që ky pakt të dështojë, por pa sukses. Sipas Melonit, rënia me 60% e zbarkimeve të refugjatëve krahasuar me një vit më parë do të vazhdojë më tej edhe falë marrëveshjes me Shqipërinë.
“Falë punës së mirë që ne po bëjmë, numri i emigrantëve të paligjshëm që mbërrijnë në brigjet italiane vijon të ulet. Krahasuar me një vit më parë, kemi 60% më pak azilkërkues. Këto shifra do të vazhdojnë të përmirësohen. Kënaqësia më e madhe për mua është arritja e marrëveshjes me Shqipërinë. E dini që një pjesë e atyre refugjatëve që synojnë të zbarkojnë në Itali do të përfundojnë atje. A ju kujtohet që kur e nisëm këtë iniciativë novatore, shumë njerëz bërtisnin se po bënim një skandal, se po shkeleshin parimet e shtetit ligjor nga një qeveri fashiste dhe raciste.”
Më tej në videomesazhin e saj, Meloni përmend faktin se Italia po triumfon me modelin e ri të transferimit të refugjatëve në Shqipëri, duke i dhënë kështu një leksion të gjitha vendeve të tjera.
“Fatmirësisht, së fundmi gjithsej 15 nga 27 shtete europiane, pra shumica e vendeve anëtare të BE-së, kanë nënshkruar një letër ku e këshillojnë Komisionin Europian, ndër të tjera, që të merret si model marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët. Në atë letër thuhet tekstualisht se duhet të krijohen struktura pritëse si ato për refugjatët që Italia po ngre në Shqipëri. Pavarësisht përpjekjeve të së majtës për të dështuar iniciativat tona për të përballuar emigracionin ilegal, Italia po triumfon duke ju dhënë një mësim të gjitha vendeve të tjera.”
Që nga marrja e detyrës në vjeshtën e vitit 2022, qeveria Meloni ka kontaktuar me vende të treta në Afrikë dhe në Ballkanin Perëndimor në një përpjekje për të dekurajuar refugjatët që të shkojnë ilegalisht në brigjet italiane.
Opozita e majtë e ka akuzuar Melonin se marrëveshja me Shqipërinë bie ndesh me kushtetutën italiane, akuzë që qeveria në Romë e ka hedhur poshtë.
/a.r