12 dronë të tillë i janë dhururar Drejtorisë për Kufirin dhe Migracionin në Policinë e Shtetit nga autoritetet britanike. 2 prej tyre janë vënë në dispozicion të stacionit të policisë kufitare Morinë, aty ku Tv Klan është ndalur sot për të ndjekur nga afër se si bëhet monitorimi i kufirit të gjelbërt përmes këtyre pajisjeve inteligjente.
Donacioni i qeverisë britanike ka një vlerë prej 1.6 milionë paund, dhe ka si qëllim goditjen e migrimit ilegal dhe bandave kriminale. Krahas dronëve, në pikën kufitare të Morinës janë instaluar edhe 45 kamera inteligjente. Përmes tyre, Policia Kufitare detekton targat e automjeteve britanike, dhe më pas informacioni regjistrohet në databazat e policisë, për t’u verifikuar në rast përfshirje në ndonjë veprimtari të jashtëligjshme.
Shefi i stacionit të policisë kufitare, Medat Sinani na shpjegon rolin e tyre.
Medat Sinani: Monitorohet me 45 kamera aktualisht, për evidentimin e të gjitha automjeteve të lehta dhe të rënda që futen në Republikën e Shqipërisë. Të monitoruara nga operatori përkatës dhe në raste që hasen probleme të ndryshme, njoftohet direkt Drejtoria e Përgjithshme e Doganave në bashkëpunim me Policinë.
Por cilat janë rezultatet e para të aplikimit të këtyre pajisjeve inteligjente?
Medat Sinani: Në kufirin e gjelbër vihet re një tendencë uljeje prej 95%, në vitin 2023 dhe 2024 të shtetasve dhe emigrantëve të parregullt që mundohen të lëvizin në territorin e Shqipërisë drejt BE.
Pika kufitare Morinë është një nga vendkalimet kryesore në vend e cila në ditë normale përpunon mbi 25 mijë hyrje-dalje qytetarësh dhe mbi 8000 automjete, shifër kjo e cila 4 fishohet gjatë sezonit veror.
/a.r