Në kuadër të operacionit policor të koduar “The end” është vendosur sekuestro preventive mbi një llogari bankare me 30 mijë Euro që dyshohet se janë përfituar nga veprimtaritë kriminale të kryera nga një 30-vjeçar. Ky i fundit është arrestuar në Greqi për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “organizata kriminale”.
“Në kuadër të një hetimi të kryer për disa muaj, me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshem Fier, Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike, në zbatim të vendimit të kësaj prokurorie, ka vendosur sekuestro preventive mbi një llogari bankare me shumën 30 000 euro, në emër të shtetasit A. B., 30 vjeç, banues në Fier”, njofton policia.
Vijon puna hetimore për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera të këtij shtetasi, që mund të jenë përfituar nga veprimtaritë kriminale. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
/a.r