Zbatimi i vendimeve të Kushtetueses, ligji për studentët e Mjekësisë rishqyrtohet te “Ligjet”

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ligjin e studentëve të mjekësisë, do të shqyrtohet nga Komisioni i Ligjeve në Kuvend. Ky është sugjerimi i dhënë sot nga Këshilli i Legjislacionit në Kuvend, i cili u mblodh për të diskutuar zbatimin e tre prej vendimeve të marra nga Gjykata Kushtetuese.

Mbledhja u drejtua nga deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi, e cila parashtroi tre vendimet për të cilat Këshilli i Legjislacionit duhet të japë mendim.

Çupi tha bëhet fjalë për vendimet: 62/2023, nr. 69/2023 dhe nr.1/2024. “Më konkretisht ligji për Regjistrimin e Organizatave Jofitimprurëse, ku në disa raste kërkohet heqja apo ndryshimi i termit “Kancelar”, ligji për testamentin dhe ligji për studentët e mjekësisë, ku përcaktohej një afat prej 5 vitesh punë brenda vendit”, tha Çupi.

“Vendimi për të ashtuquajturin për ligjin për studentët, dt 25,1,2024, është vënë në lëvizje nga 1/5 e deputetëve të kuvendit të Shqipërisë, opozitës dhe nga një grup studentësh”, tha Çupi.

Deputetja e Partisë Socialiste Klotilda Bushka, tha se ligji për studentët edhe për efekt kohe duhet të shqyrtohet nga Komisioni i Ligjeve.

“Këshilli legjislacionit ka rol opiniondhënës. Unë do të sugjeroja që për adresimin e zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që lidhet me studentët e mjekësisë, për efekt dhe të afateve të punohet nga ne, pra Kuvendi, që të marrim një kohë më të shkurtër. Ta kalojmë në komisionin e Ligjeve si çështje”, tha Bushka.

“Ministria e Arsimit dhe Sportit ka nisur një proces të draftligjit që amendon vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Them ta marrim ta fusim në procedurë parlamentare. Bëjmë një raport në komisionin e ligjeve. Për dy çështjet e tjera, çështja e kodit civil, që kërkon një analizë më të thelluar dhe duke qenë se Ministria e Drejtësisë po punon për disa draftligje të ngjashme, dhe kjo t’i kalojë Ministrisë së Drejtësisë. Të njëjtin mendim kam dhe për ligjin për regjistrimin e OJF-ve. Po vetëofrohem si relatore për ligjin për studentët”, tha Bushka.

Deputetja Çupi mbylli mbledhjen duke theksuar se “është emergjente reflektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, për t’u zbatuar në kohën e vendosur nga Gjykata Kushtetuese. Vendosim një relator dhe mbledhjen e radhës do duhet të vendosim për çështjen e ligjit të studentëve. Ndërsa për të tjerat do vijojmë me procedurën e vendimmarrjes”, përfundoi deputetja e PD-së, Dhurata Çupi.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com