Mosshqyrtimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, e sheh si një mundësi të humbur. Në fjalën e tij pas takimit mes ministrave të Jashtëm ai tha se mbështetja e Asamblesë Parlamentare në Prill pasqyroi një përkushtim për solidaritet që duhet të ketë zë.
Ndërkohë në një postim tjetër në rrjetet sociale, Hasani ka shprehur se edhe qeveria e Kosovës duhet të veprojë shpejt për të përmbushur zotimet dhe të angazhohet në mënyrë konstruktive me partnerët.
“Dështimi për të vendosur mbi anëtarësimin e Kosovës në Ministerialin e Këshillit të Europës është një mundësi e humbur historike për Kosovën për të pasur një vend të merituar në tryezë dhe një zë më të fortë në formësimin e një Europe të bashkuar dhe demokratike.
Është e nevojshme që Qeveria e Kosovës të veprojë me shpejtësi për të përmbushur zotimet që ka marrë dhe të angazhohet në mënyrë konstruktive me partnerët dhe përkrahësit e saj të vendosur ndërkombëtarë. Kjo duhet të pasohet me një përpjekje kolektive që në të ardhmen e afërt të mbahet një tjetër Komitet Ministrash. Të gjithë duhet të veprojmë me shpejtësi për të përmbushur atë që i kemi borxh popullit të Kosovës”, tha Hasani.
Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës nuk u realizua për shkak se nuk u miratua Asociacioni i Komunave me shumicë serbe. Kjo u bë e ditur nga tre liderët kryesorë të BE-së kancelari gjerman Olaf Sholz, presidenti francez, Emanuel Makron dhe kryeministrja italiane, Xhorxhia Meloni, të cilët nëpërmjet një letre refuzuan me gjuhë të drejtpërdrejtë dhe pa nota diplomatike një propozim të Albin Kurtit për Asociacionin dhe për hapat për anëtarësim në KiE.
/a.r