Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, është paraqitur këtë të martë (14 maj) në Prokurorinë e Tiranës. Meta shkoi për të dhënë sqarime në lidhje me kallëzimin e bërë për pretendimet e vjedhjes së serverave në selinë e PL-së.
Më herë, Meta denoncoi një vjedhje që sipas tij ka ndodhur brenda selisë, të pajisjes DVR me pamje të kamerave të sigurisë.
Pas dëshmisë së tij në prokurori para prokurorit Ndini Tavani, Meta foli për gazetarët duke thënë se çështja me serverat është “mafioze” dhe ka për qëllim marrjen e partisë së tij, ndërsa akuzoi sërish kreun e SPAK se së bashku me Ramën qëndron pas kësaj ngjarjeje.
Meta akuzoi kryeministrin Rama për gjendjen e mjerueshme të Prokurorisë së Tiranës dhe të gjykatave të tjera në vend. Sipas tij, “Ramafoma kujdeset vetëm për disa prokurorë të SPAK-ut”.
“Është një situatë shumë e rëndë. Të vijnë të shikojnë gjendjen këtu. Kjo ndodh për shkak të Ramaformës. Ramaforma kujdeset vetëm për disa prokurorë të SPAK dhe i mban në xhepin e tij. nuk do t’ia dijë fare për të gjithë prokurorët e tjerë që kanë male me dosje. U bëj thirrje anëtarëve të PL që të vijnë të paktën të lyejnë muret e brendshme të kësaj prokurorie, se është në gjendje të mjerueshme. I gjithë procesi mafioz për të kapur edhe vulën e PL është si rezultat i treshes Rama-Agaçi-Dumani,” tha Meta.
/a.r