Ministri i Brendshëm, Taulant Balla reagoi pas arrestimit të një 39-vjeçari, i cili grabiti sendet personale të një çifti italian që kishin mbërritur në Vlorë për pushime.
Reagimi:
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë pas marrjes së informacionit që në një automjet në pronësi të dy turistëve italianë ishin vjedhur sende personale dhe një shumë parash, ka organizuar punën për identifikimin dhe arrestimin e autorit. Brenda 24 orëve u bë i mundur arrestimi i autorit, i cili rezultoi të ishte një person me rekorde kriminale, i sapo liruar nga vuajtja e një dënimi të mëparshëm.
Gjithashtu drejtuesit e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, falë edhe gatishmërisë së subjektit privat “Vlora Marina” kanë organizuar dhe kompensimin e menjëhershëm të shumës së parave tek dy turistët e huaj, të cilët do vijojnë pushimet e tyre në Vlorë.
Do të bëjmë gjithçka që siguria të jetë pashaporta kryesore e pushimeve në Shqipëri, ndërsa ripërsëris mesazhin e fortë ndaj kujtdo se turisti është mik dhe në besën e shqiptarëve, gjatë çdo momenti qëndrimi në Shqipëri. Policia e Shtetit do tu garantojë qëndrim të sigurtë në Shqipëri çdo pushuesi dhe çdo qytetar/m.j