Sot do të mbahet finalja e madhe e ‘Eurovision 2024’ mirëpo ka ndodhur një incident i papritur. Holanda është përjashtuar përfundimisht nga finalja e madhe pas akuzave ndaj këngëtarit Joost Klein. Në njoftimin zyrtar, EBU bën të ditur se këngëtari holandez nuk do të marrë pjesë sonte në finalen e madhe të Eurovizionit. Ndonëse organizata nuk ka sqaruar se çfarë saktësisht ka ndodhur në lidhje me ngjarjen, për të cilën akuzohet artisti, ka bërë të ditur përjashtimin e tij. Njoftimi, megjithatë, flet për “sjellje të papërshtatshme” ndaj një anëtareje të produksionit.
Njoftimi i plotë i EBU:
Artisti holandez Joost Klein nuk do të marrë pjesë në finalen e madhe të Eurovizionit të këtij viti.
Policia suedeze hetoi një ankesë nga një anëtare femër e ekipit të prodhimit pas një incidenti pas performancës së tij në gjysmëfinalen e së enjtes mbrëma. Ndërsa procesi ligjor vazhdon, nuk do të ishte e përshtatshme që ai të vazhdonte kompeticionin.
Dëshirojmë të sqarojmë se, ndryshe nga disa raportime mediatike dhe spekulime në rrjetet sociale, në këtë incident nuk është përfshirë asnjë artist apo anëtar tjetër i ekipit.
Ne kemi zero tolerance ndaj sjelljeve të papërshtatshme në ngjarjen tonë dhe jemi të përkushtuar të ofrojmë një mjedis pune të sigurt për të gjithë stafin. Në këtë këndvështrim, sjellja e Joost Klein ndaj një anëtareje të ekipit konsiderohet të jetë në kundërshtim me rregullat e garës. Finalja e madhe e Eurovizionit të 68-të do të vazhdojë tani me 25 këngë pjesëmarrëse.
Joost Klein sipas informacioneve dhe deklaratës zyrtare të EBU, ka keqtrajtuar një anëtare të stafit. Burime jozyrtare pohojnë se ai ka goditur një pjesëtar të produksionit izraelit, i cili ka bërë një koment mosrespektues por deklarata e fundit e cituar më lartë ka hedhur poshtë këtë pretendim