Rezultati i zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut, që pa partinë nacionalistë VRMO-DPMNE, të fitonte e vetme gati gjysmat e ulëseve në Parlamentin me 120 ligjvëmës, duket se ka shqetësuar Greqinë.
Në një intervistë për televizionin Alpha, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka rikujtuar Marrëveshjen e Prespës, të firmosur mes paraardhësit të tij në detyrë Aleksis Tsipras dhe ish-kryeministrit maqedonas Zoran Zaev, në qershor të 2018-ës.
Ai i dërgoi një mesazh të rreptë dhe të qartë udhëheqjes së re politike të Maqedonisë së Veriut, duke thënë se “do të kemi probleme nëse retorika e shprehur para zgjedhjeve do të dëgjohet edhe pas tyre”.
“Po i shikoj me shqetësim disa nga deklaratat e zyrtarëve të VMRO-së dhe do të pres qëndrimin zyrtar të ushtruesit të detyrës së kryeministrit për të parë se si do t’i referohet emrit të vendit të tij. Unë personalisht nuk jam pajtuar me Marrëveshjen e Prespës . Por unë e pranova marrëveshjen në kuadrin e vazhdimësisë së shtetit dhe e kuptova se, pavarësisht mosmarrëveshjes sime, duhej ta respektoja. Të njëjtat kërkesa ekzistojnë edhe tani nga lidershipi i Maqedonisë së Veriut. Unë dua të shpresoj që ajo që është shprehur para zgjedhjeve nuk do të dëgjohet pas zgjedhjeve. Nëse kjo ndodh, do të kemi probleme.”
Një koment të shkurtër, Mitsotakis e pati sërish edhe për takimin e kryeministrit shqiptar Edi Rama me emigrantët, që do të zhvillohet nesër në Athinë.
“Greqia është një vend demokratik, çështja mori përmasa më të mëdha. Vendi nuk mund ta pengonte një lider të bënte një vizitë private dhe të fliste me bashkatdhetarët e tij”, pohoi shefi i ekzekutivit Helen. Alpha