Detaje të reja janë bërë publike në lidhje me atentatin mafioz të së enjtes në Athinë ku u vra 32-vjeçari Roan Brahimi. Në momentin e ekzekutimit, ai ndodhej në makinën e partneres së tij, e cila e shoqëronte. Kjo e fundit mbeti e plagosur.
Sipas informacioneve që jep Protothema, 32-vjeçari kohët e fundit jetonte në Dubai pasi kishte frikë për jetën e tij. Disa ditë më parë kishte vendosur të shkonte në Greqi që të takonte partneren dhe fëmijën. Aty autorët e kanë zbuluar dhe e kanë ekzekutuar.
Viktima është emër i njohur për autoritetet shqiptare. Këtu njihej edhe me emrin Sidorel Prendi dhe ka qenë i lakuar për disa ngjarje të rënda kriminale në Qarkun e Lezhës, por jo vetëm. 3 vite më parë ai u shpall në kërkim nga policia pasi dyshohej se së bashku me 2 persona të tjerë, mes të cilëve Ramazan Rrajën dhe Alesio Dobrozin, mësynë të armatosur në ambientet e një lokali në Lezhë.
Ndërkohë Protothema shkruan se vrasja nuk është lidhur me Greqinë, por aktivitetet e Brahimit në Shqipëri. 32-vjeçari kishte familjen që jetonte këtu, gruan me dy fëmijët, ndërsa në Greqi mbante një marrëdhënie me një grua tjetër, me të cilën kishte edhe një fëmijë.
Policia greke mendon se ekzekutimi është larje hesapesh mes bandave rivale. Ata po këqyrin kamerat e sigurisë në zonë për të përcaktuar ata që kanë kryer autorët. Hetimi po vijon me shpejtësi pasi ka frikë se autorët mund të përpiqen të arratisen nga vendi. Në vendin e ngjarjes u gjetën 2 plumba, ku një prej tyre e ka goditur në kokë viktimën.
Atentati mafioz ndodhi mbrëmjen e së enjtes në Athinë. Viktima ishte në makinë kur një motor i kaloi pranë dhe një person e qëlloi me armë. Brahimi humbi jetën menjëherë ndërsa partnerja e tij mbeti e plagosur në një gjendje shoku.