Fituan zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut: VMRO dhe VLEN bisedojnë për formimin e Qeverisë së re

Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut do të përbëhet nga VMRO DPMNE-ja dhe koalicioni i opozitës shqiptare VLEN, por pjesë e saj mund të jenë edhe parti të tjera opozitare që kanë fituar mandate në zgjedhjet parlamentare, më 8 maj.

Kështu kanë bërë të ditur drejtuesit e VMRO DPMNE-së, që fituan zgjedhjet e dyfishta parlamentare dhe ato presidenciale, me një diferencë të madhe kundrejt Lidhjes Social Demokrate (LSDM).

Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka thënë se pret që deri më 28 maj të bëhet konstituimi i përbërjes së re parlamentare dhe më pas ta marrë mandatin për formimin e qeverisë së re, por ai thotë se bisedimet do t’i nisë edhe para këtyre afateve.

“Shumë shpejt do t’i fillojmë negociatat me partitë opozitare për të formuar koalicionin dhe Qeverinë më të mirë për Maqedoninë tonë. Procesi do të jetë transparent. Kam biseduar me drejtuesit e koalicionit VLEN – Bilall Kasamin, kryetarin e Tetovës, dhe Arben Taravarin e Gostivarit. Presim që sa më parë t’i nisim bisedimet për programin e Qeverisë së re. Do të bisedojmë edhe me partitë tjera opozitare… Koha është që BDI-ja, së bashku me LSDM-në, të kalojnë në opozitë. Populli ia dha leksionin më të rëndësishëm Qeverisë [së deritashme] dhe e shpëtoi vendin e tij”, ka deklaruar Mickoski.

Drejtuesit e koalicionit VLEN që mbrëmjen e 8 majit, kur dolën rezultatet e para jozyrtare, thanë se do të jenë pjesë e Qeverisë së re, së bashku me VMRO DPMNE-në.

Një prej drejtuesve të tyre, Bilall Kasami që drejton lëvizja BESA, paralajmëron formimin e grupeve të punës për hartimin e programit të ri qeveritar.

“Ky koalicion do të jetë garantues i integrimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe garantues i të drejtave të shqiptarëve, sepse zgjedhjet treguan se ne kemi marrë mandatin e shqiptarëve që të jemi përfaqësues të tyre dhe të sjellim vendime që janë në të mirë të tyre dhe të të gjithë qytetarëve të vendit, si dhe integrimit në BE. Bazuar në rrethanat dhe rezultatin zgjedhor, ne besojmë se shumë shpejt mund të marrim mandatin dhe të formojmë qeverinë e re”, ka deklaruar Kasami.

VMRO DPMNE-ja, sipas të dhënave preliminare të KSHZ-së, në zgjedhjet e 8 majit ka fituar 58 mandate – dy më pak se gjysma e përbërjes së Parlamentit prej 120 ulëseve.

Koalicioni opozitar shqiptar, VLEN, ka fituar 13 mandate, partia E Majta- 6, aq sa edhe lëvizja ZNAM.

Këto parti, nëse arrijnë të merren vesh për të formuar qeverinë e re, atëherë do të kenë 83 deputetë apo mbi dy të tretat e deputetëve në Kuvend.

Lidhja Social-Demokrate që udhëhoqi vendin në shtatë vjetët e fundit së bashku me Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) ka pranuar disfatën pasi në zgjedhje arriti të merrte 18 mandate, por BDI-ja që drejtohet nga Ali Ahmeti me 19 mandatet e fituara pretendon se është përfaqësuese legjitime e shqiptareve.

Kryeministri teknik në largim, Talat Xhaferi, që është nga BDI-ja nuk i ka komentuar qëndrimet e VMRO DPMNE-së dhe të koalicionit VLEN.

“Çështja e mandatit të ardhshëm të qeverisë së ardhshme i takon procedurave, kalkulimit dhe bisedimeve ndërpartiake apo subjekteve që kanë fituar mandate në Kuvend”, ka thënë Xhaferi duke mos iu shmangur pyetjes lidhur me qëndrimin e VMRO DPMNE-së se “BDI-ja do të kalon në opozitë”.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti mbrëmjen e 8 majit i pyetur se çfarë do të ndërmarrë partia e tij nëse mbetet në opozitë, tha se “ shteti më shumë se kurrë ka nevojë për stabilitet, paqe…”, që në opinion u interpretua si kërcënim nga ana e tij, nëse VMRO-ja vendos që të mos e ftojë në bisedime për qeverinë e re, si fituese e zgjedhjeve te shqiptarët.

Kreu i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, tha se nuk e përjashton mundësinë që të ketë edhe përpjekje për destabilizim.

“Presim gjithçka. Kemi informacione për gjithçka që flitet dhe planifikohet atje. Neve nuk na mbetet asgjë tjetër, por si qeveri e ardhshme në rast se ka protesta të dhunshme të sigurojmë institucionet dhe sistemi të funksionojë”, ka thënë Mickoski për televizionin maqedonas Kanal 5.

Drejtuesit e VMRO-së në vazhdimësi kanë përsëritur se nga viti 2017 më nuk ekziston parimi “fituesi me fituesin”, një rregull e pashkruar, që kishte të bënte me formimin e qeverive nga partitë fituese shqiptare dhe maqedonase, pavarësisht orientimeve të programeve të tyre.

Në zgjedhjet e vitit 2016, VMRO DPMNE-ja kishte fituar zgjedhjet, por pas përplasjeve të shumta, me disa muaj vonesë, në vitin 2017 Qeveria u formua nga LSDM-ja si humbëse e zgjedhjeve te maqedonasit, falë mbështetjes që mori nga partitë shqiptare./ REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com