Konflikti izraelito-palestinez në Rripin e Gazës po ndikon edhe në eventin më të madh muzikor të Evropës, Eurovision.
Përfaqësuesja e Izraelit, Eden Golan është nën mbikëqyrjen e masave të larta të sigurisë. Asaj i është kërkuar të mos dalë nga dhoma e hotelit përveç shfaqjeve dhe ngjarjeve zyrtare të Eurovizionit, për shkak të protestave pro-palestineze në Malmo të Suedisë, qyteti ku zhvillohet konkursi. Policia i ka kërkuar të qëndrojë jashtë vëmendjes së publikut, përveç gjatë performancës.
Eden Golan mbërriti në Suedi me siguri të rreptë, duke mbajtur një distinktiv në shenjë solidariteti ndaj pengjeve që ende mbahen nga Hamasi.
Policia suedeze është në gatishmëri të lartë dhe ka kërkuar përforcime nga Danimarka dhe Norvegjia për konkursin më të madh të muzikës pop në Evropë.