Vijojnë kërkimet për gjetjen e trupave të nënës dhe dy fëmijëve, detaje nga Shkodra

Vijojnë ende kërkimet për gjetjen e trupave të pajetë të dy të miturve dhe të mamasë së tyre 39-vjeçares Alma Arrazi të cilët dyshohet se u vetëmbytën në lumin Buna.

Gazetarja e RTSH në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Darragjati për emisionin “Mirëmëngjesi Shqipëri” ka deklaruar se polumbarët kanë vijuar kërkimet edhe gjatë natës për gjetjen e tre trupave të pajetë, të nënës 39-vjeçare dhe të dy fëmijëve të tjerë të moshës 8 dhe 3 vjeç.

Një ditë më parë, u gjet nga një peshkatar, trupi i pajetë i vajzës 9-vjeçare, ku paraprakisht u bë me dije se kishte shenja dëmtimi në pjesën e fytyrës.

“Gjatë ditës së djeshme dhe natës, polumbarët kanë kërkuar në ujërat e lumit Buna, pa mundur të gjenden tre trupat e tjerë.

Ka një pushim të shkurtër momentalisht dhe më pas polumbarët do rikthehen në ujërat e Lumit Buna për të vijuar kërkimet”, tha gazetarja.

Kjo e fundit ka bërë me dije se në komunikimet që ka pasur  me blutë e Shkodrës, këta të fundit e kanë informuar se në momentin e arrestimit 31-vjeçari Ergys Arrazi, bashkëshorti i 39-vjeçares dhe babai i tre fëmijëve, është paraqitur tepër gjakftohtë.

Kujtojmë se fill pas gjetjes së trupit të pajetë të vajzës 9-vjeçare, motra e Alma Arrazi ka denoncuar në Policinë e Shkodrës, Ergys Arrazi si ushtrues të dhunës fizike e psikologjike ndaj motrës dhe fëmijëve. Vetë Ergys Arrazi ka hedhur poshtë akuzat, ndërsa shtoi se ka qenë vetë ai që ka denoncuar zhdukjen e bashkëshortes dhe fëmijëve katër ditë më parë.

31-vjeçari Arrazi rezulton i dënuar më parë për kultivim të bimëve narkotike.

Nga hetimet e kryera deri më tani, policia ka bërë të ditur se dyshohet se shkaku i largimit nga banesa ishte dhuna e ushtruar nga 31-vjeçari ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve, që mund t’i ketë çuar ata drejt vetëvrasje.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com