Bien çmimet e naftës, SHBA shton prodhimin e naftës bruto

Çmimet e naftës ranë me 1% të martën, duke zgjeruar humbjet nga e hëna, si pasojë e rritjes së prodhimit të naftës bruto në Shtetet e Bashkuara, si dhe shpresave për një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit.

Kontratat e naftës së papërpunuar për muajin qershor në tregun Brent, që skaduan të martën, shënuan një ulje prej 0.6% në 87.86 dollarë për fuçi. Kontratat për muajin korrik ranë në 86.33 dollarë për fuçi. Tregu Brent shihet si pikë referimi e çmimeve globale të naftës.

Çmimi i një fuçie naftë në tregun WTI, që ka të bëjë me çmimet e naftës bruto në Shtetet e Bashkuara, ra në 81.93 dollarë. Kontratat për të dy tregjet ranë më shumë se 1% të hënën.

Nxjerrja e naftës bruto në Shtetet e Bashkuara u rrit në 13.5 milionë fuçi në ditë gjatë muajin shkurt, krahasuar me 12.58 milionë fuçi në janar, rritja më e madhe mujore që nga tetori i viti 2021, tha agjencia amerikane për energjinë. Ndërkohë, eksportet u rritën me 4.66 milionë fuçi në ditë nga 4.05 milionë fuçi gjatë të njëjtës periudhë.

Një sondazh i gjerë nga agjencia e lajmeve Reuters tregoi të martën rënien e inventarit të naftës amerikane bruto me rreth 1.1 milionë fuçi gjatë javës që përfundoi më 26 prill.

Ndërkohë janë shtuar pritshmëritë për arritjen e një marrëveshje armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit pas një shtytje të ripërtëritë të udhëhequr nga Egjipti për të ringjallur negociatat e ngecura.

“Tregu beson se një pjesë e rrezikut gjeopolitik po mënjanohet“, tha Dennis Kissler me firmën tregtare “BOK Financial”. “Nuk po shohim daljen nga tregu të asnjë furnizimi global”.

Vazhdimi sulmeve nga lëvizja Houthi kundër trafikut detar tejet të rëndësishëm në jug të Kanalit të Suezit, mund të përbëjë rreziqe në rritje nëse shkakton ndërprerjen e furnizimeve me naftë bruto.

Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës, OPEC, uli prodhimin në muajin prill, veprim që u reflektua në eksporte më të pakta nga Irani, Iraku dhe Nigeria, pa llogaritur uljen e prodhimit nga disa vende anëtare të organizatës OPEC+. Sipas parashikimeve, çmimi i një fuçie nafte të papërpunuar do të qëndrojë mbi 80 dollarë gjatë këtij viti./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com