Gjyqtarja e Tiranës, Ardiana Bera u paraqit sot (24 prill) në sallën e Vettingut. Subjekti i rivlerësimit sipas ligjit të vettingut është një nga tre gjyqtarët që dhanë vendimin e diskutueshëm për dosjen e 21 janarit, dosje që është rihapur tanimë nga Gjykata e Lartë.
Përballë gjyqtares Bera, ishin tre komisionerë të vettingut dhe prokurori belg Theo Jacobs.
Relatorja e dosjes së kësaj gjyqtareje tha gjatë informimit të publikut në sallë se nga hetimi rezulton se gjyqtarja ka patur të ardhura të pamjaftueshme për të blerë disa pasuri të paluajtshme që zotëron aktualisht, sikurse po sipas relacionit rezulton se zonja Bera nuk arriti të justifikojë as burime të besueshme financiare për një depozitë të krijuar në emër të vajzës së saj.
Gjyqtarja u pyet edhe nga prokurori ndërkombëtar për të dhënat kontradiktore në kontratat e lidhura me një kompani ndërtimi, por gjyqtarja u përgjigj se i qëndronte asaj që kishte deklaruar gjatë korrespondecës me Komisionin e Kualifikimit.
Figura e saj u vlerësua e pastër, ndërsa në shkallën e parë të vettingut ndaj saj ishin depozituar 11 denoncime nga publiku për mënyrën e shqyrtimit të disa dosjeve gjyqësore, të cilat u vlerësuan të pabaza nga KPK.
Vendimi për gjyqtaren Bera do të jepet pas dy ditësh.
/a.r