“Meta e linçon Dumanin për hallet e tij”, Murrizi: Bardhi dhe Gjekmarkaj ta harrojnë vulën!

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Myslim Murrizi, është shprehur kategorikisht kundër një koalicioni mes Rithemelimit dhe Partisë së Lirisë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.

Nuk është partneri im”, tha ai në “Ditarin” e A2CNN, teksa u pyet për një bashkëpunim të demokratëve me Ilir Metën në opozitë.

“Kam qenë kundër tij në Këshillin Kombëtar dhe do jem kundër tij dhe nuk votoj kurrë individë të promovuar tek ajo parti, për të cilën unë dhe mijëra shqiptarë jemi ngrit në dhjetor të ’90 për t’i rrëzuar nga pushteti. Unë nuk mund të shkoj në koalicion me nipin e Vito Kapos. Unë ambasadorët e fundit të viteve të Enver Hoxhës, edhe pse mund t’i marrë dikush në koalicion për interesa të tij, as ma ndjen fare dhe nuk mund t’i votoj, as s’më bën dora. Kështu që nuk është partneri im”.

Duke u ndalur te përplasja e fortë e kreut të PL me drejtuesin e SPAK, Murrizi tha se Meta po linçon Dumanin për shkak të halleve personale, ndërkohë që në pozicionin e Presidentit heshti për çdo vendim e hetim të Prokurorisë së Posaçme.

“Ajo që s’jam unë dakord me linçimet që i bën sot drejtuesit të SPAK-ut Ilir Meta, është se për tri vite President ka heshtur si në fije të barit dhe s’ka folur kurrë për një fëlliqësire enveriste. E ka për hall të vet, se burrat që kanë përgjegjësi politike, qytetare, duhet të flasin për çdo padrejtësi që shohin te një i pamundur, jo vetëm kur troket te menderja e tij. SPAK-u është drejtuar tre vjet nga vartësi i Metës, Arben Kraja që ka punuar në Kryeministri. Ka arrestuar Bektashin me autokombajnë në Kuçovë dhe mjekun e shquar Ervin Prifti.”

Sa i përket çështjes së Vulës në PD, për të cilën pritet të vendosë së shpejti Gjykata e Apelit, Murrizi u shpreh i sigurt se Rithemelimi nuk do ta gëzojë më atë, pasi i është marrë Berishës nga administrata Biden dhe jo Gazment Bardhi apo Lulzim Basha.

Ai kërkoi nga drejtuesit më të lartë të Rithemelimit që të marrin vendim për krijimin e një force të re politike, që do të përfaqësojë 500 mijë shqiptarë të cilët e votuan opozitën më 14 maj dhe që të mund të tentojë të mposhtë Ramën me garë.

“Ka zgjedhje vitin tjetër dhe Vula nuk vjen tek ne, sipas asaj që shoh unë. Ëndërrimtarë që vulën e ka Gazi me Gjekmarkajn dhe hajde t’i emërojmë pa vota se do sjellin vulën janë shfryrë si flluskë sapuni dhe do ta kuptojnë që ka qenë një zhgënjim i madh. Vulën e kam thënë publikisht dhe jam i vetmi, e ka marrë administrata Biden nëpërmjet lobimit të Soros. Unë mendoj me të padrejtë, kundër vullnetit të 500 mijë shqiptarëve që ia dhanë votat shumicës dhe opozitës reale më 14 Maj të 2023. Zgjidhja do të ishte të krijohet një subjekt, një opozitë reale ashtu siç u nis. Ç’Parti e Lirisë?! Vetë mo vetë, siç u nis. A thamë Rithemelim, Foltore, opozitë konservatore. Patjetër që duhet regjistruar, që në 2022 e kam kërkuar. Ia kam thënë Berishës edhe në Këshillin Kombëtar, edhe publikisht, mos na i bë kaq të fortë këta sikur ta ka marrë vulën Gazi me Lulin. S’ta ka marrë Gazi vulën, ta ka marrë Sorosi.”

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com