Shqiptari humbi jetën në punë në Itali, familja: Duam të vërtetën nga hetimi

Kush hyn në shtëpi i ofrohet një kafe e hidhur, traditë e shqiptarëve. E hidhur sepse e tillë është edhe vdekja. Një histori emigracioni. Një histori përkushtimi, integrimi të suksesshëm në shoqëri, histori e një lumturie familjare, e një sigurie të fituar me mund, me djersë dhe më në fund e arritur. Një histori vdekjeje në punë që i dha një goditje të gjithëve. Është historia e Abdulla Biskut, muratorit shqiptar, i martuar dhe baba i dy fëmijëve, i cili vdiq vetëm pak metra larg shtëpisë në një kantier ndërtimi në Asola në zonën e Mantovas.

Një tragjedi pa dëshmitarë. Abduli ka qenë një ekspert, një murator i aftë, i cili edhe pse në moshën 58-vjeçare ishte i shkathët si në rini. Ai po punonte në prishjen e një galerie në katin e parë të një ndërtese të vjetër në zonë, disa qindra metra larg shtëpisë së tij. Ndërroi jetë vetëm, pasi kolegu që punon me të për heqjen e strukturave prej druri ishte larguar për një moment. Një nga trarët që mbante lart papafingon u thye. Bisku ra nga një lartësi më e madhe se tre metra. Askush nuk dëgjoi gjë. Goditi kokën, një goditje e fortë që duket se i mori jetën menjëherë.

Pas ngjarjes kanë nisur hetimet. Zëvendës prokurorja e Mantovës, Michela Gregorelli, ka hapur një dosje me hipotezën e veprës penale të vrasjes nga pakujdesia dhe shkelje të nenit 148, për rregullat e sigurisë ndaj pronarit të kompanisë Edilcasa që ishte punëdhënësi i të ndjerit. Të hënën do të kryhet autopsia.

Ka shumë “pse” në këtë histori. “Kantieri i ndërtimit ka disa mangësi si nga pikëpamja e projektimit të punimeve ashtu edhe në fazën e ndërtimit të përkohshëm të punimeve ku mungonin skelat. Vendkalimi nga ku ndodhi rënia nuk kishte parmakë. Por mbi të gjitha nuk kishin marrë aspak parasysh se dërrasat që shërbenin si vendkalim ishin të vjetra dhe nuk mund të përballonin peshën e punëtorit. Nuk duket të ketë pasur rrip apo kokore”, tha Alberto Righi, kreu i shërbimit të parandalimit dhe sigurisë në vendin e punës.

Fund i dhimbshëm i një njeriu që kishte gjetur në Itali, një atdhe të dytë. Në vitin 1991, Bisku, i lindur në Kavajë, ishte një nga shumë njerëzit e dëshpëruar që zbarkuan në Brindisi me varkë. Pas disa muajsh, bashkë me pesë bashkatdhetarë shkuan në Asola në zonën e Mantovës. Ata ishin gjashtë pionerët e parë të një komuniteti shqiptar që sot numëron rreth 500 vetë. Që prej asaj kohe e 33 vite më vonë, jeta e tij do të ishte në Asola. Disa muaj më vonë, atij iu bashkua atje edhe Zambakja, e cila do të bëhej më vonë gruaja e tij. Falë dashurisë së tyre lindi Aldi, djali i madh, tashmë 26 vjeç që studion për inxhinieri dhe Adelina, 22 vjeçe, e cila punon në një fabrikë në Gazoldo degli Ippoliti. Dalëngadalë, Abduli ndërtoi sigurinë për veten dhe familjen e tij. Katër vite më parë përfundoi shtëpinë në Pieve Cadelora, të cilën e ndërtoi me duart e tij, tullë pas tulle. Ishte streha e tij me gruan, dy fëmijët dhe ku mbanin një qen e një mace. Të birit i injektoi dashurinë e tij edhe për Juventusin. Në kompaninë në fjalë ai u punësua një vit më parë. E shikonte si garanci shtesë për daljen më pas në pension.

Pas tragjedisë Il Giorno foli me familjarët e tij. “Burri im kishte disa muaj që punonte atje. Nuk kishte shfaqur ndonjë shqetësim në veçanti. E vetmja lidhej me faktin se ndërtesa ishte shumë e vjetër. Ai ishte shumë i matur dhe i zoti në punë. Në moshën që kishte ngjitej ende me shkathtësinë e një maceje. Ai do të punonte derisa të arrinte moshën e pensionit. Vdiq kur ishte koha për të shkuar në shtëpi. Kjo banesë ishte ëndrra e tij, donte me të gjitha forcat që ta përfundonte. Kemi qenë këtu për katër vite e gjysmë. Pasi e blemë e rinovoi pjesë-pjesë. E kishte ndërtuar si shtëpia ku jetonin më parë në Gazzuolo, një fshat në Asola dhe si ajo në Shqipëri. Ai do të varroset atje, në vendin e tij, këtë dëshirë kishte”, tha Zambakja.

Çfarë pret familja e Abdulla Biskut nga hetimi?

“Unë di vetëm që asgjë nuk mund të ma kthejë burrin mbrapsht. Do të jepja gjithçka që të kthehej para se të ndodhte kjo”, shprehet bashkëshortja e shqiptarit.

“Presim të vërtetën nga hetimi”, përgjigjet i biri.

“Në vitin 2024 nuk duhet të ketë më vdekje në punë”, thotë vajza e të ndjerit.

Shkrim nga Il Giorno

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com