“Bomba me sahat” e krizës së popullsisë në Greqi

Rreshteri  grek Christos Giannakidis po planifikonte të kishte një fëmijë të dytë kur kriza e borxhit mbërtheu Greqinë dekadën e kaluar, duke dëmtuar rëndë financat e tij dhe shuar çdo shpresë që ai  kishte për të zgjeruar familjen. Ai thotë se rritja e djalit të tij është e kushtueshhme në fshatin Ormenio ku ai jeton në të cilin numri i fëmijëve ka rënë ndjeshëm vitet e fundit. Shumicën e pasditeve ai e çon djalin e tij 13 vjeç për të luajtur futboll me ata pak fëmijë që kanë mbetur në të gjithë rajonin.

Nëse Nicholas ka nevojë për kujdesin e një mjeku, atëherë ai duhet të udhëtojë edhe më larg shtëpisë së tij. “Ti dëshiron të kesh një fëmijë të dytë. Por për të pasur një fëmijë të dytë duhet të ketë më shumë të ardhura në shtëpi. Për të pasur një familje këto ditë, duhet të bëhesh hero.”

Teksa pjesa më e madhe e Evropës lufton me rënien e niveleve të lindjeve, Greqia është një shembull i qartë se sa e vështirë do të jetë për të ndryshuar trendin. Fshati Ormenio i Giannakidis dhe bashkia më e gjerë e Orestiada – një nga më të varfrat e vendit zbulojnë shkallën e këtij problemi. Popullsia e Orestiada, një zonë në kufi me Turqinë dhe Bullgarinë, u tkurr 16% midis 2011 dhe 2021, tregojnë të dhënat.  Ormenio dikur ishte plot me fëmijë, por tani dy të tretat e 300 banorëve janë mbi 70 vjeç.

 “Dikur ishin 1700 banorë dhe tani jemi 290. Dhe ne të gjithë, jemi të moshuar.”

Nicholas, i vetmi 13-vjeçar në Ormenio, kalon pjesën më të madhe të fundjavave të tij duke luajtur videolojëra i vetëm. Ai dëshiron të largohet  kur të mbushë 18-vjeç, “Mund ta dërgoj te motra ime në Gjermani për të studiuar,” thotë babai i tij. Ndërkohë, shumica e stolave ​​të kishës janë të pabanuara. Trenat që kalojnë nëpër Ormenio sillnin vizitorë, por sot transportojnë tanke të destinuara për në Ukrainë. Një gardh i ri kufitar i zgjeruar në zonë, pjesë e politikës së ashpër të imigracionit të qeverisë konservatore, i mban jashtë emigrantët pa dokumente.

Heshtja që mbulon Ormenio-n thyhet herë pas here nga këmbanat e kishës që bien mbi bizneset e mbyllura dhe të moshuarit që shkojnë në kafene për lojëra me tavëll. “Ne takoheshim në dasma,në pagëzime, në momente të lumtura, por tani takohemi vetëm në funerale dhe vdekje.”

Në vitin 2022, shteti fqinj regjistroi numrin më të ulët të lindjeve në 92 vjet, sipas të dhënave më të fundit, e nxitur nga kriza e borxheve që çoi në vite shtrëngimi, emigracioni dhe ndryshim të qëndrimeve midis të rinjve. Të dhënat paraprake jozyrtare tregojnë një tjetër rënie në vitin 2023. Shkalla e lindshmërisë së Greqisë është një nga më të ulëtat në Evropë: disa fshatra nuk kanë regjistruar asnjë lindje të vetme prej vitesh.

Qeveria po planifikon në Maj të zbulojë masa të reja për të rritur numrin e lindjeve, thanë zyrtarët për Reuters. Plani përfshin përfitime në para për familjet, strehim të përballueshëm për të rinjtë, stimuj financiarë për riprodhimin e asistuar dhe përfshirjen e migrantëve në fuqinë punëtore, sipas zyrtarëve që hartojnë nismat, përfshirë Ministren  e Familjes. Kostoja e këtij plani të qeverisë së kryeministrit Kiriakos Mitsotakis ende nuk është e  qartë. Megjithatë, masa të ngjashme kanë rënë në vende të tjera të BE-së në dekadat e fundit dhe demografët presin pak ndryshime në Greqi. Edhe ata që qëndrojnë pas këtyre planeve kanë dyshimet e tyre nëse këto masa do të funksionojnë.

 “Patjetër që duhet një stabilizim i situatës. Nëse do t’ju thosha se çdo ministër në çdo ministri, edhe kur ka një vullnet dhe vendosmëri kaq të fortë nga ana e Kryeministrit, mund të ndryshojë trendin, do të ishte një gënjeshtër.”

Situata e Ormenio-s pasqyrohet në shkallë të ndryshme në të gjithë Greqinë dhe BE-në, ku qeveritë duke përfshirë Francën, Italinë, Norvegjinë dhe Spanjën kanë shpenzuar miliarda euro për masa që do të inkurajonin të rinjtë të kishin fëmijë, por shpesh këto masa kanë qenë të padobishme.

Ekonomia e Greqisë është rimëkëmbur vitet e fundit, por rënia e lindjeve, sipas kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, përbën një “bombë me sahat” për pensionet. Një pjesë e sfidës së qeverisë greke  është edhe  tejkalimi i traumës së krizës së borxhit. Vetëm pak vite më parë, ndërsa protestat u ndezën për politikat shtrënguese të qeverisë, papunësia e të rinjve ishte mbi 60% sot ajo është  rreth 25%. Qindra mijëra të rinj grekë u larguan. Ato që  vendosën të qëndronin tani u duhet të përballen me një kosto të lartë të jetesës për shkak të inflacionit dhe rritjes së qirave ndërsa shumë prej tyre kanë vendosur të jetojnë me prindërit.

Për Ministren e Familjes problemi është shumë i gjerë. “Do të jetë një plan veprimi gjithëpërfshirës dhe më duhet të theksoj sërish se ka të bëjë me të gjitha politikat. Pra, demografia është e lidhur me gjithcka. Ka të bëjë me infrastrukturën, fuqinë punëtore, janë politikat ekonomike dhe në të njëjtën kohë një ndjenjë sigurie dhe optimizmi që të gjithë duhet të ndjejnë për të krijuar një familje.”

Megjithatë, qeveria vijon me përpjekjet e saj për të ndryshuar trendin. “Duhet të vazhdojmë të përpiqemi. Dhe në fakt është detyra jonë të vazhdojmë të përpiqemi. Ne nuk mund të dorëzohemi.”

Edhe përpara stimujve të planifikuar për në Maj, qeveria krijoi një bonus lindjeje dhe ulje tatimore për sendet e foshnjave dhe zgjeroi përfitimin e lehonisë nga sektori privat, por këto masa kanë patur pak impakt. Shkolla fillore më e afërt me Ormenio, po rrallohet. E gjithë klasa e parë ka vetëm katër fëmijë ndërsa vitin e ardhshëm sipas drejtorit të shkollës “e ardhmja nuk duket e ndritshme”.

Vetë mësuesja e klasës së pare në këtë shkollë Nektaria Mouropoulou pohon se do të dëshironte të kishte një familje, por ajo fiton 1000 euro në muaj, një e treta e të cilave shkon për të marrë me qira një apartament të vogël. Ajo shkon në Turqi për të blerë benzinë ​​më të lirë dhe është nëna e saj e moshuar që e ndihmon shpesh me faturat.

Kur je në të 30-at dhe fiton 1000 euro, sigurisht që do të mendosh dy herë para se të krijosh familje, sepse nuk mund ta përballosh. Është shumë. Që ata të japin një subvencion të vogël për blerjet e ushqimeve, ose që do të japin 20 euro për fëmijën e parë, ose 50 ose 100 euro, nuk e zgjidh problemin. Jepu njerëzve në fshat arsye për të qëndruar. Nëse do të kisha një jetë të mirë këtu, nuk do të doja të largohesha. Më jep një arsye për të qëndruar. Jepuni të rinjve si unë një arsye për të qëndruar këtu dhe për të pasur familje dhe shkolla të mbushura me fëmijë, në mënyrë që shkollat ​​të qëndrojnë të hapura.”

Fëmijët që vijnë në shkollë shpesh vijnë nga zona të largëta. “Në përgjithësi, shkolla ka fëmijë nga 17 fshatra të ndryshëm, të cilët ose vijnë këtu me autobus ose i sjellin orindërit. Imagjinoni sa e lodhshme mund të jetë kjo, për të shkuar në shkollë për të bërë një udhëtim kaq të gjatë, çdo ditë.”

Në Ormenio, Thodoris Vasiliadis, vëllai i kryetarit të fshatit, organizon mësime arti për rreth 20 fëmijë nga fshatrat përreth. Ai është një logoped me profesion dhe thotë se izolimi i ka përkeqësuar aftësitë sociale të fëmijëve. “Po qëndrojmë në fshat dhe planifikojmë të jetojmë përgjithmonë këtu, në këtë mënyrë shpresojmë të japim shembull që të tjerët të kthehen në fshat. Tani veç kësaj, sa i përket politikave qendrore, me subvencione dhe masa të përkohshme, nuk mund ta zgjidhësh një problem kaq të thellë, nëse nuk jep nxitje për hapjen e bizneseve ose  ulje të taksave…”

Për të nëse situata nuk do të rregullohet brenda disa vitesh, ky problem nuk do të ketë më zgjidhje.

 “Jemi në një pikë kthese. Vitet e ardhshme janë shansi ynë i fundit që diçka të ndryshojë. Domethënë, përderisa ka ende të rinj këtu dhe jepen disa stimuj për të ringjallur fshatrat. Nëse gjërat nuk ndryshojnë në pesë deri në 10 vitet e ardhshme, nuk ka kthim prapa.”

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com