Orët shtesë të punës, vendoset masa e shpërblimit që përfitojnë prokurorët

Puna jashtë orarit zyrtar të prokurorëve do të paguhet me një shtesë mbi pagë. Qeveria, bazuar në kërkesën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, bazuar në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, dhe në ligjin “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë’’, që kanë të bëjnë me organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në vendin tonë, me propozim të Komisionit të Planifikimit Strategjik, vendosi të bëjë disa ndryshime për pagesat e prokurorëve për punën e kryer jashtë orarit.

Prokurori që ushtron funksionin në ditët e pushimit javor apo festave zyrtare, si dhe orët shtesë të kryera në orarin 22:00–06:00, për veprime të natyrës urgjente, përfiton shtesë page në masën 50% të pagës së tij ditore në përpjesëtim me orët e punës së kryer ose kompensim me kohë pushimi. Ai duhet të provojë me dokumentacion shoqërues (aktet hetimore ose vendime të gjykatës) orët e punës së kryer.

Prokurori që ushtron funksionin jashtë kohës normale të punës për veprime të natyrës urgjente, përfiton shtesë page në masën 25% të pagës së tij ditore në përpjesëtim me orët e punës së kryer ose kompensim me kohë pushimi, i cili duhet gjithashtu të provojë me dokumentacion shoqërues (aktet hetimore ose vendime të gjykatës) orët e punës së kryer.

Ndërsa prokurori që është në gatishmëri sipas grafikut të përcaktuar nga drejtuesi i prokurorisë, për shkak të gatishmërisë gjatë ditëve të festave zyrtare apo ditëve pushim përfiton shtesë page në masën 50% të pagës së tij ditore ose kompensim me kohë pushimi.

“Prokurori i cili është i gatshëm gjatë ditëve të javës por për shkak të gatishmërisë del jashtë orarit zyrtar të asaj dite përfiton shtesë page në masën 25% të pagës së tij ditore ose kompensim me kohë pushimi në përpjesëtim me orët e punës së kryer”, thuhet në vendim.

Prokurori që është i gatshëm gjatë ditëve të javës, por për shkak të gatishmërisë kryen veprime në orarin 22:00–06:00, përfiton shtesë page në masën 50% të pagës së tij ditore në përpjesëtim me orët e punës së kryer ose kompensim me kohë pushimi në përpjesëtim me orët e punës së kryer.

Fondi i përcaktuar për orët jashtë orarit nuk duhet të tejkalojë më shumë se 200 orë në vit për çdo prokuror”.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com