Gentjan Bejtja u ekzekutua me breshëri kallashnikovi pasditen e 15 marsit në banesën e tij në Larushk të Fushë-Krujës.
Lidhur me ngjarjen, policia arrestoi më 20 mars, dy persona që dyshohet se kanë lidhje me ngjarjen. Bë het fjalë për Ilir Beqarajn dhe Edison Haxhiun, të cilët u lanë në burg nga Gjykata e Apelit më 9 prill.
Policia gjatë operacionit për arrestimin e tyre, sekuestoi edhe një makinë tip Golf në pronësi të Edison Haxhiu.
Gazetari i Vizion Plus, Esido Barkaj, mëson se dy të arrestuarit pretendojnë se në makinën tip Golf kishte GPS, por kjo teori është hedhur poshtë nga grupi hetimor.
Madje të dy pretendonin se nuk është filmuar mjeti i tyre, por ishte makinë tjetër e ngjashme që ishte pjesë e ngjarjes.
Burime bëjnë me dije se në automjetin e sekuestruar nuk ka asnjë pajisje GPS dhe hetuesit kanë prova dhe materiale filmike që tregojnë se është e njëjta makinë që u përdor për ekzekutimin e Bejtjes në Larushk të Fushë Krujës.
Burimet theksojnë se kjo makinë ka qenë edhe në vendin e ngjarjes, pra autorët përdorën dy mjete deri në afërsi të vilës.
Pikërisht në këtë vend dyshohet se i kanë hequr targën makinës. Brenda këtij mjeti janë gjetur edhe prova të tjera, ndërkohë hetuesit po presin edhe përgjigjen e tabulateve telefonike.
/a.r