Çela raporton në KLP: Mungojnë 123 prokurorë. Problematike ngarkesa e punës, harta e re gjyqësore

Ngarkesa e lartë e punës, zbatimi i hartës së re gjyqësore dhe numri i ulët i prokurorëve kanë qenë disa nga problematikat që kryeprokurori Olsian Çela raportoi para Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Gjatë veprimtarisë së Prokurorisë së Përgjithshme në 2023, Çela tha se problematika kryesore ngarkesa e lartë e punës dhe numri i ulët i prokurorë për shkak të vetingut.

“Prokuroritë vijojnë të përballen me sfida dhe problematika në menaxhimin e ngarkesës së lartë të punës por edhe në nivelin jo të kënaqshëm të koordinimit dhe rolit aktiv të drejtuesve. Një problem konstant për drejtuesit mbetet organizimi dhe mbikëqyrja e punës së oficerëve të policisë gjyqësore, ku duhet theksuar se roli i tyre është i zbehtë dhe pasiv. Roli pasiv i drejtuesve në këtë aspekt ndikon në performancën e zyrave që ata drejtojnë dhe ndihet nevojë për një qasje më dinamike prej tyre në të ardhmen”, tha Çela

Kryeprokurori Çela tha se në rang vendi janë 198 prokurorë në total nga 321 që duhet të jenë dhe kjo mungesë prej 123 prokurorësh ka sjellë mbingarkesë të dosjeve që një prokuror duhet të shytojë. Në bazë të dosjeve të regjistruara gjatë 2023 me numrin aktual të prokurorëve rezulton se çdo prokuror në rang vendi duhet të shqyrtojë 136 procedime penale.

“Në vitit 2023 numri faktik i prokurorëve në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm ka qenë 198 (përfshirë dhe emërimet në korrik të 26 magjistratëve të rinj). Ky tregues evidenton strukturën faktike me 62 % të prokurorëve kundrejt numrit organik prej 321 prokurorësh dhe mungesën e 38 % të numrit të prokurorëve. Mesatarja e çështjeve të regjistruara gjatë vitit 2023 në raport me numrin faktik të prokurorëve në prokuroritë e shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm në rang vendi, rezulton të jetë 136 procedime penale për çdo prokuror, një nga treguesit që nevojitet të mbahet në konsideratë për shpërndarjen e balancuar e numrit të prokurorëve në rang vendi”, tha Çela.

Në vitin 2023 janë trajtuar 55253 kallëzime ose 9.4 % më pak krahasuar me 2022. Sipas Çelës numrin më të lartë të kallëzimeve të regjistruar e ka Tiranë me 8463 të tilla dhe më të ulët e ka Dibra me 556 kallëzime.

2023 ka qenë për Prokurorinë e Përgjithshme një vit sfidues për zbatimin e  hartës së re gjyqësore, ku Çela tha se janë ndjekur të gjitha proceset për zgjidhjen e problematikave të dala.

“Viti 2023 ishte një vit sfidues për prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm për shkak të çështjeve administrative dhe procedurale që lidheshin me zbatimin e hartës së re gjyqësore dhe vijimit të uljes së numrit të prokurorëve si pasojë e pezullimit. Gjatë vitit 2023, grupi i punës i ngritur me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm, ka ndjekur mbarëvajtjen e procesit dhe ka propozuar marrjen e masave administrative të nevojshme në mënyrë që riorganizimi i prokurorive dhe mbarimi juridik/mbyllja e disave prej tyre, të bëhej në një kohë sa më të shpejtë e duke zgjidhur çdo problematikë të mundshme”, tha Çela.

Lidhur me procesin e dekriminalizimit nga KQZ janë dërguar 91 kërkesa për verifikim, ndërsa 77 kërkesa të tera janë dërguar nga DAP.

“Për vitin 2023, janë regjistruar 91 kërkesa për verifikim të plotë të të dhënave të formularëve të vetëdeklaruar të personave, subjekt i këtij ligji, të ardhura nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve dhe Departamenti i Administratës Publike, prej të cilave janë regjistruar 77 procese të reja”, raportoi kryeprokurori.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com