Pas raketave dhe dronëve, ajo që mbeti për të luftuar, ishin fjalët. Një betejë e ashpër verbale u regjistrua në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara lidhur me sulmin e fundit të Iranit kundër Izraelit.
Sekretari i Përgjithshëm, Antonio Guterres, u bëri apel të gjitha palëve të përfshirë që të tërhiqen nga pragu i fatkeqësisë, duke shmangur një luftë të madhe.
“Lindja e Mesme është në prag të fatkeqësisë. Njerëzit në rajon po përballen me një rrezik real të një konflikti shkatërrues në shkallë të plotë. Tani është koha për të ulur tensionet. Është koha për vetëpërmbajtje maksimale”, tha Antonio Guterres, sekretar i përgjithshëm i OKB.
Irani lëshoi mbi 300 dronë dhe raketa në drejtim të Izraelit, si kundërpërgjigje për sulmin në konsullatën e Teheranit në Damask të Sirisë, ku u vranë disa zyrtarë të lartë të gardës revolucionare. Por 99 për qind e tyre janë eliminuar nga mbrojtja e shtetit hebre, në bashkëpunim me forcat amerikane dhe të tjera. Me kaq, Irani e konsideron të mbyllur hakmarrjen. Por Izraeli ka paralajmëruar se reagimi do të vijë në të njëjtën masë dhe në kohën e duhur.
Nga ana tjetër, Teherani kërcënon se në rast sulmi, reagimi do të jetë 10 herë më I fortë. “Jeruzalemi do të jetë në duart e myslimanëve dhe bota myslimane do të festojë për çlirimin e Palestinës”, thekson lideri suprem I gardës revolucionare, Ali Khamenei. Por e mbarë bota po mundohet që të shuajë flakët e një lufte rajonale. Presidenti francez, Emmanuel Macron, shpreson për një armëpushim olimpik gjatë verës dhe për këtë do t’i kërkojë ndihmë dhe homologut kinez, Xi Jinping. Shefi i Elizesë kritikoi Iranin për sulmin kundër Izraelit, ndërsa tha se ushtria e tij ndërhyri për të rrëzuar dronët e raketat pasi I ishte kërkuar nga Jordania.
“Duhet të vendosim sanksione të tjera ndaj Iranit”, shtoi Macron, duke nënvizuar se reagimi i Teheranit kundër Tel Avivit ishte joproporcional me atë që ndodhi në Damask. Ndërkohë, mediat amerikane theksojnë se gjysma e raketave të Iranit kanë dështuar dhe vetëm 9 prej tyre kanë goditur baza ushtarake të Izraelit. CNN raporton se sulmi nga Teherani ishte konceptuar për të dështuar, pasi ishte urdhëruar vetëm për të ngjallur frikë dhe minimizuar dëmet.
/a.r