Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar (LZHK), Dashamir Shehi është kundër krijimit të një federate opozitare.
Në një intervistë për “Tirana Live” në ABC News, Shehi u shpreh se nuk beson te Rithemelimi dhe as te lidershipi i saj, por sipas tij, duhet të ketë debat të brendshëm brenda opozitës.
Shehi shtoi se opozita nuk duhet të unifikohet rreth një personi, por se duhet të ruajë diversitetin brenda vetvetes.
“Sot jam edhe më shumë sepse federata, në një farë mënyrë mori një grup partish të vogla, të cilat mund të tentonin një rrugë të pavarur, jo atë të Rithemelimit. Ne jemi këtu për të krijuar një alternativë, po të ishte për Rithemelim, bëhemi atje dhe nuk ka nevojë për emra të rinj.
Unë nuk besoj te formula e Rithemelimit, as te lidershipi i Rithemelimit. Prandaj kam ftuar kolegët e mi, të bëjmë një trajektore të re politike. Unë gjykoj se ka ardhur dita që brenda opozitës shqiptare, qendrës së djathtë të ketë një debat të brendshëm, të ketë gjëra që diskutojmë dhe mendojmë ndryshe. Nëse është kështu, jemi te skema e vjetër, që nuk prodhoi asgjë.
Nuk kemi qenë entuziast, nuk jam as sot. Kam kërkuar të hyjmë në parlament. U kaluan ligje si buxheti, populli nuk kuptoi asgjë. Koha më dha të drejtë mua. A do merremi me reformën zgjedhore? Duan këta zotërinjtë ta ndryshojnë Kodin Zgjedhor? Do e lëmë SPAK të punojë me gjithë problemet që ka? Nga kjo drejtësi po presim të luftohet edhe korrupsioni qeveritar. Ka disa shenja pozitive.
Unë jam për atë që këta të bëjnë punën e tyre. A do bëjmë ndonjë luftë për të rregulluar marrëdhëniet me ndërkombëtarët? Prandaj nuk kam pasur entuziazëm, ka ardhur dita që brenda opozitës duhet të dalin njerëz të rinj, ide të reja. Kemi një gjë të përbashkët, jemi kundër qeverisë socialiste. Këtë duhet ta amplifikojmë.
Unë gjykoj, them se ka ardhur dita që opozita të marrë çdo grup të elektoratit që i takon. Unë nuk e quaj kaq dramatike. Opozita po nuk krijoi njerëzit e vet për çdo fashë të elektoratit, nuk ka për t’i përfaqësuar dot me mijëra vota që i mungojnë opozitës.
Ne si LZHK bashkë me aleatët do të vazhdojmë programin tonë. E ardhmja e opozitës është kjo, që të ruajë diversitetin brenda vetvetes, e unifikuar përqark një personi, u kuptua deri ku janë limitet”, theksoi ai./m.j