“Nuk jam hermetik”, Dumani para KLP: Jam përpjekur të kufizoj rrjedhjen e informacionit në kanale jozyrtare

Kreu i SPAK, Altin Dumani, raportoi këtë të enjte para Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Një nga pyetjet që iu drejtuan Dumanit kishte të bënte edhe me transparencën e institucionit që drejton ai.

Dumani u shpreh se ka mbajtur premtimin që ka dhënë kur kandidonte për drejtimin e SPAK duke u shprehur se ka zhvilluar takime të hapura me gazetarët e kronikës duke iu përgjigjur pyetjeve për aq sa i takon ligji.

Ai u shpreh se komunikimi me gazetarët bëhet për të gjetur balancën mes informimit të publikut dhe sekretit të hetimit. Prandaj për këtë arsye nuk pranoi që t’i thuhet se është hermetik. Dumani theksoi se është përpjekur të kufizojë rrjedhjen e informacionit në kanale jozyrtare.

“Unë nuk e pranoj atë që të më thuhet jam hermetik. Kam kufizuar ndoshta rrjedhjen e informacionit, jam përpjekur, të kufizoj rrjedhjen e informacionit në kanale jozyrtare. Jam përpjekur si drejtues i institucionit në përmbushje edhe të detyrës sime funksionale edhe detyrimit tim ligjor, por edhe prokurorëve, pasi edhe prokurorët kanë detyrimin ligjor që të ruajnë sekretin e hetimit sa kohë nuk është publikuar hetimi. Jam munduar që këtë ta kufizoj dhe shpresoj t’ia kemi arritur dhe ky është detyrim ligjor, nuk ka të bëjë me mos qenien transparent apo hermetik”, tha Dumani.

Një tjetër pyetje që iu bë Dumanit kishte të bënte edhe me regjistrimin e procedimeve penale pas denoncimeve publike që bëhen nga ente të ndryshme. Kreu i SPAK tha se prokurorët nuk mund të dalin publikisht se ka nisur procedime penale për këto denoncime pasi prish befasinë e hetimit.

“Ore denoncimi mund të jetë publik , por regjistrimi i procedimit dhe zhvillimi i procedimit nuk është publik. Domethënë u bë një denoncim në media dhe do dal “po e kam regjistruar, po e hetoj”, atëherë ku shkoi befasia e hetimit? Denoncim publik mund të bëjë kushdo, regjistrimi i procedimit penal është një moment shumë i rëndësishëm, shumë diskret”, tha Dumani.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com