Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka reaguar lidhur me aksidentin tragjik me 8 viktima që u regjistrua në orën e para të mëngjesit sot në rrugën Këlcyrë-Përmet.
Shoferi nga Shkodra i cili po transportonte me makinën tip “Benz” 7 emigrantë ilegalë nga Lindja e Mesme me shpejtësi sketerrë ka humbur kontrollin e mjetit. Makina doli nga rruga, fluturoi 200 metra dhe përfundoi në lumin Vjosa.
Lidhur me aksidentin tragjik, përmes një postimi në Facebook, Taulant Balla, shprehet i prekur nga kjo ngjarje. Ministri thotë se nga të dhënat paraprake rezulton se shkaku i aksidentit ka qenë përpjekja me shpejtësi tej çdo norme e drejtuesit të automjetit, për t’iu shmangur kontrollit policor në atë zonë.
Reagimi i plotë i Taulant Ballës në Facebook
Shumë i prekur nga aksidenti i rëndë mëngjesin e sotëm në Këlcyrë, ku humbën jetën shtatë shtetas të huaj, migrantë në kërkim të një jete më të mirë dhe një shtetas shqiptar, drejtuesi i mjetit të përfshirë në aksident. Nga të dhënat paraprake rezulton se shkaku i aksidentit ka qenë përpjekja me shpejtësi tej çdo norme e drejtuesit të automjetit, për t’iu shmangur kontrollit policor në atë zonë. Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit janë tërësisht të përkushtuara për tu përballur me plagën e trafikimit të migrantëve. Ky angazhim dëshmohet në politikat dhe strategjitë që po zbatohen, por edhe me angazhimin për t’u përballur me sfidat. Në vitin 2023 Policia e Shtetit ka identifikuar 177 raste të kontrabandimit të emigrantëve, 9 raste të trafikimit të të miturve dhe 11 raste të trafikimit të personave, duke çuar në identifikimin e 330 autorëve të përfshirë, 147 prej tyre të ndaluar, duke shpresuar që prokuroritë dhe gjykatat të japin vendimet e shumëpritura, të cilat nuk e kuptoj pse vonohen. Gjithashtu, prej disa vitesh oficerët e FRONTEX po kryejnë patrullime të përbashkëta me Policinë Kufitare Shqiptare në të gjitha pikat e kalimit kufitar.
/a.r