Sot në Gjykatën e Tiranës pritej të zhvillohej seanca për kërkesën e grupit të PD të përfaqësuar nga Gazment Bardhi për çregjistrimin e emrit të Lulzim Bashës si kryetar i kësaj force politike.
“Këshilli Kombëtar i PD i datës 27 korrik 2023 ka vendosur të kërkojë çregjistrimin e ish-kryetarit të PD Lulzim Basha nga regjistri i partive politike. Grupimi i përfaqësuar nga ky i fundit ka bërë kërkesë që të bëhet pjesë si palë në proces”, thuhet në kërkesën drejtuar Gjykatës.
Siç raporton gazetarja e Klan News Glidona Daci, seanca është shtyrë për në datën 30 Prill, pasi gjatë kësaj kohe Gjykata e Tiranës do të administrojë edhe vendimin e GJL që ktheu për rigjykim në “Apel” çështjen e Partisë Demokratike.
Në të njëjtën seancë do të shprehet edhe për legjitimimin ose jo të grupit të Bashës si palë në proces.
Kujtojmë se kjo kërkesë u depozitua në Gjykatë që në Korrik të vitit të shkuar. Grupi pro Bardhit shpreheshin asokohe se “askush s’mund të privatizojë partinë”. Veprim ky një ditë pasi Gazment Bardhi i cili atëherë mbante postin e Sekretarit të Përgjithshëm të partisë deklaroi pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD se do të pezulloheshin zgjedhjet për kryetarin e ri.
Në një mbledhje online të thirrur nga Bardhi, morën pjesë 245 anëtarë të partisë. Përveç pezullimit të zgjedhjeve më 29 Korrik, u vendos që Basha dhe Alibeaj të pranojnë dorëheqjen. Sipas Bardhit, Basha e ka dhënë dorëheqjen e tij para organeve të larta të partisë dhe se ka një akt të shkruar të Kryesisë që e konfirmon.
/a.r