Kandidatët e opozitës janë duke udhëhequr bindshëm rezultatet paraprake të zgjedhjeve lokale të kësaj të diele në Turqi. Të gjithë sytë ishin drejtuar në Stamboll dhe Ankara ku presidenti Erdogan ishte angazhuar personalisht për t’i rimarrë qytetet e fituara nga opozita në zgjedhjet e 5 viteve më parë.
Por sipas rezultateve paraprake duket se sërish këto dy qytete simbol do të mbeten në duart e Partisë Laike Republikane Popullore të opozitës. Kur janë numëruar rreth 80% e votave të Stambollit, kandidati i opozitës dhe kryebashkiaku aktual, Ekrem Imamoglu ka marrë rreth 50% të tyre ndërsa rivali i tij i partisë AK të Erdoganit numëron vetëm 40%.
Imamolu nuk e fshehu kënaqësinë para mbështetësve të tij kur tha se ishte shumë i lumtur për rezultatet. Një fitore më të thellë duket se po shënon Mansyr Javaz në Ankara që kur janë numëruar më shumë se gjysma e votave ka rreth 59% të tyre duke lënë me vetëm 33% kandidatin e partisë së Erdogan. Opozita po kryeson edhe në disa qytete të tjera të mëdha si Izmiri, Antalja apo Bursa.
Siç duket edhe nga kjo hartë, opozita kryeson bregdetin e Egjeut dhe Mesdheut, ndërsa partia e Erdogan kontrollon pjesën më të madhe të Anadollit qendror. Fitore të rëndësishme ka marrë edhe partia pro-kurde që dominon në juglindje. Zgjedhjet e kësaj të diele konsideroheshin një test për reformat e presidentit Erdogan.
/a.r