E ftuar në podcastin “Zë me Mirën” ka qenë moderatorja Arbana Osmani, e cila ka folur më shumë rreth eksperiencës së saj në televizion gjatë këtyre viteve, moderimit të një prej spektakleve më të ndjekura si BB dhe largimit të saj nga ky format. Në këtë podcast ajo ka rrëfyer gjithçka rreth jetës së saj private, karrierës dhe planeve për të ardhmen.
Podcast i transkriptuar:
Mira Kazhani: Arbana, mirë se erdhe në podcast!
Arbana Osmani: Mirë se të gjeta!
Mira Kazhani: Si je?
Arbana Osmani: Jam shumë mirë!
Mira Kazhani: Dukesh!
Arbana Osmani: Faleminderit!
Mira Kazhani: Tani që e mendon, çfarë të bëri ty në atë kohë figurën më prominente në televizion? Me ty Arbana filluan edhe shumë të tjerë. Të gjithë kanë bërë rrugën e tyre, gavetën e tyre. Po çfarë ishte një gjë tek ti si Arbana, por edhe një ngjarje konkrete nëse ka pasur një moment kur ti shkëlqeve dhe një shkëndijë në ato momente? Mund të jetë krejt infantile, më kujtohet një moment Arbana kur erdhën Scorpions. Më ndihmo për vitin…
Arbana Osmani: 2000, ose 2001 maksimumi.
Mira Kazhani: Diskutohej shumë kush do të intervistonte Scorpions. Kishte figura Top Albania në atë moment, edhe u zgjodhe ti. Disa thoshin ngaqë dije anglisht. Ishe e vetmja që dije anglisht në ato korridore. Tani duket gjë normale, por në atë kohë, të flisje edhe anglisht ishte një aset më vete.
Arbana Osmani: Po ishte një plus.
Mira Kazhani: Nuk e di, mbase s`ka qenë vetëm për anglishten.
Arbana Osmani: Për aq të rinj sa ishim ne. Se ishim shumë të rinj. Në Top Albania Radio ne të gjithë ishim shumë të rinj. Mua Tani më tha: Do t`i intervistosh ti Scorpions edhe pikë. Nuk është se më dha shpjegime, që të zgjodha për këtë arsye. Ai nuk është se jepte shpjegime, sepse bënte zgjedhjet e veta. Më tha edhe që do blesh ca rroba të reja. (qesh) Gardëroba ime nuk është se i pëlqente shumë. Dhe unë e bëra intervistën me shumë dashuri, sepse Scorpions për ne, për brezin ishin idhuj. Kam qenë shunë rehat edhe e lirshme me ta. Ata ishin shumë komodë. Ishin pa komplekse. Për t`iu kthyer pyetjes tënde. Nuk besoj që ka një moment të caktuar. Edhe pse shumë mund të mendojnë prezantimin e Big Brother si spektakli më i ndjekur dhe programi më i rëndësishëm në atë kohë, në Top Channel, fakti që unë jam sot, duke të të perifrazuar ty, si një figurë dominante në Top Channel, gjatë gjithë këtyre viteve, ka të bëjë besoj me një punë të vazhdueshme, por edhe me atë që të thashë në fillim që unë kur kam marrë secilin projekt, i jam dhënë 100% projektit, pa menduar për veten. Çfarë dua të them? Qoftë ky Top Select, qoftë Top Fest, qoftë Big Brother, atëherë si prezantuese, po qoftë Big Brother, deri para pak kohësh më përpara si autore, për mua ka qenë shumë e rëndësishme mbarëvajtja e projektit, e programit, sesa suksesi im personal. Me këtë dua të them që besoj kjo ka rënë në sy në vazhdimësi, gjatë gjithë këtyre viteve, jo vetëm tek drejtuesi i televizionit, por edhe tek publiku. Dëshira ime që programet të jenë të suksesshme, pavarësisht nëse unë jam apo jo e suksesshme, besoj se ka pasur ndikimin e vet për të bërë produkte të mira.
Mira Kazhani: Po, kjo është një anë. Po besoj që ka edhe shumë të tjerë që e kanë dëshirën…
Arbana Osmani: Për të bërë programe të suksesshme apo për të qenë të suksesshëm në televizion?
Mira Kazhani: Kjo është e rrezikshme. Këtu të jap të drejtë ty. Se ndonjëherë kujtojnë se e kanë për programin, por ndoshta janë duke menduar shumë për veten e tyre. Mund të jetë edhe kjo.
Arbana Osmani: Ndonjëherë më vjen edhe keq. Shpeshherë kam lënë prezantimin, po them duke i ndarë fushat e punës time, pasdore, duke u kujdesur shumë më tepër për përmbajtjen, organizimin, të ftuarit të cilët do të ishin në program. Këtë e kam bërë edhe kur nuk kam qenë autore. Kur kam qenë thjesht prezantuese. Besoj kjo është një nga gjërat që ka ndikuar. Tjetra patjetër ka qenë një punë konstante. Unë jam në ekran prej shumë vitesh. Unë kam munguar vetëm njëherë. Kur mbeta shtatzënë me Jonin dhe bëra zgjedhjen që duhet të largohesha nga televizioni, sepse do t`i përkushtohesha asaj shtatzënie që nuk ishte edhe fort e thjeshtë, edhe doja që të ishte dedikimi 100% tek ai moment i jetës time. Pastaj unë kam qenë në ekran gjithë kohës.
Mira Kazhani: E vërtetë! Çfarë kishe veshur tek Scorpions? Se e pashë që të kishte mbetur mendja.
Arbana Osmani: Një bluzë të kuqe dhe një fund xhins, që i kam blerë tek Myslym Shyri. Ishin shumë të shtrenjta për kohën. Kur më pa Tani, i thashë: A jam mirë? Po, shumë mirë.
Mira Kazhani: Top Channel është një media e madhe, e rëndësishme. Njerëzit gjithmonë mendojnë që Arbana Osmani ishte figura më e fuqishme aty. Unë po flas në të shkuarën. Nuk e di nëse duhet të flas në të shkuarën.
Arbana Osmani: Jo, nuk ka arsye për të folur për të shkuarën, sepse gjallë jemi të dy, edhe unë edhe Top Channel. Jemi shumë mirë të dyja palët. Kështu që…
Mira Kazhani: Unë preferoj që në këtë podcast të mos bëj atë hetuesen. Duke qenë se jam gazetare e respektoj shumë atë etikën profesionale të bashkëpunëtorëve. Ka një interes të jashtëzakonshëm. E kam vënë re edhe në rrjet. Çfarë po ndodh? A do të kthehet Arbana në televizion? Nëse do të kthehet Arbana në televizion, do të jetë me patjetër në Top Channel? Apo Arbana tashmë është një zog i lirë, edhe mund të kthehet në çdo televizion, në çdo ekran, në Shqipëri apo në Prishtinë?
Arbana Osmani: Mira, vetëm sepse ne jemi personazhe publikë nuk na detyron që të japim përgjigje për zgjedhjet tona profesionale, ose personale. Një drejtor banke nuk pyetet: Po ti çfarë do bësh? Do shkosh tek kjo banka apo do rrish tek kjo banka? Nuk e ndjej të nevojshme të jap përgjigje për të gjitha narrativat apo për të gjitha teoritë konspirative që shkruhen nga mëngjesi deri në darkë. Nëqoftëse do ta bëja këtë, do të merresha vetëm me këtë punë dhe nuk do të bëja dot asnjë punë tjetër. Jam përpjekur që të përqëndrohem dhe të fokusohem vetëm tek gjërat që mua më bëjnë të lumtur, që më japin një lloj qetësie dhe paqe shpirtërore, sepse fatmirësisht pas kaq shumë vitesh punë e kam luksin ta bëj këtë gjë dhe dua që ta shijoj këtë periudhë, këtë moment. Ta shijoj jetën time sot. Shpeshherë kam jetuar me ankthin e të ardhmes. Ca herë të tjera me depresionin që sjell mendimi për të kaluarën dhe jetesa në të kaluarën. Sot unë po jetoj të sotmen. Po jetoj çdo ditë pas dite. Në këtë kuptim mendoj që e rëndësishme për mua është sot, tani.
Mira Kazhani: Ti mund të thuash me plot gojën që je duke jetuar kohën më të mirë tënden deri më tani?
Arbana Osmani: Jo, shpresoj që të vijnë kohë akoma më të mira. Jo vetëm për mua, por për të gjithë. Jam në një moment paqeje shpirtërore. Jam në një moment të qetë. Jam në një moment ku po shijoj fëmijët e mi, familjen time si kurrë më përpara. Unë vij nga një periudhë jashtëzakonisht e ngjeshur televizive dhe jo vetëm televizive dy-tre vitet e fundit. Të bësh Big Brother 5 muaj, në një vend të vogël si Shqipëria ku ky program është kaq dominant në jetët e të gjithëve, nuk është e lehtë. Përveç kësaj, ta bësh këtë gjë së bashku me fillimisht dy fëmijë dhe një shtatzëni dhe pastaj tre fëmijë të vegjël, bëhet pak më e komplikuar dhe më e vështirë. Unë nuk dua të them që është e pamundur, se nuk ka qenë e pamundur, po le të themi pak më e vështirë. T`i shtosh kësaj një projekt të ri, ambicioz që ti do doje të shkëlqeje, ta bëje sa më mirë që mundeshe, si Festivali, ishte një tjetër gur për t`u mbajtur fort, por edhe për t`u shfrytëzuar mirë. Të jesh edhe suportuese ndaj partnerit kur ka një projekt të rëndësishëm siç ishte filmi “Sofia”, ishte gjithashtu diçka tjetër që unë doja ta bëja megjithë zemër. Të ruash të gjitha këto ekuilibra ndonjëherë nuk është e thjeshtë. Ndonjëherë vjen momenti që thua prit. Ke nevojë për një pushim. Të gjithë kemi nevojë për një pushim ndonjëherë dhe të marrësh pushim nuk do të thotë që ka diçka që është prishur. Për ta përkthyer nga anglishtja. “You do not take a break when you are broken”. Ti do marrësh pushim, sepse është momenti që të marrësh pushim dhe të shijosh ca gjëra që nuk ke mundur t`i shijosh siç duhet, ose t`i japësh prioritet ca gjërave që nuk ke mundur t`i japësh prioritet siç duhet gjatë kohëve të fundit.
Mira Kazhani: Ma kujtove me shprehjen në anglisht, ke shkruar në urimin e Vitit të Ri, që qe një urim atipik në fakt, se ti e kalove në spital me Diellin, një nga rreshtat aty e kam ruajtur. Më ka bërë përshtypje ajo frazë. Viti që lamë pas – shkruan ti – për mua ka qenë një vit intensiv, me punë, me emocione, sipërmarrje dhe marrëdhënie. Ka qenë një vit me momente kur më dukej se po thyhesha, e në fakt me kalimin e kohës kam kuptuar se po ndërtohesha. Për çfarë e kishe konkretisht këtë?
Arbana Osmani: Sado ne përpiqemi që të mos bëjmë gabime, ose mos të na ndodhin gjëra të këqija apo të jemi politikisht korrekt. Të sillemi mirë. Të ndërtojmë gjëra të bukura dhe projekte interesante, jo gjithmonë ia dalim dhe bëjmë gabime. Gjërat nuk shkojnë ashtu siç duhet dhe mërzitemi e duket sikur thyhemi. Më përpara mërzitesha shumë dhe e merrja më shumë afër zemrës dhe mbaja inat. Kërkoja përgjigje pse po më ndodh mua kjo. Kjo është një padrejtësi. Me kalimin e kohës kam kuptuar që janë të gjitha sinjale. Unë jam dhe besimtare. Janë të gjitha sinjale që Zoti do të na mësojë diçka edhe me humbjen, edhe me dhimbjen, edhe me disfatën. Tani vazhdimisht kur nuk shkon diçka ashtu siç duhet, unë pyes pse po ma jep këtë shenjë? Çfarë duhet të bëj unë dhe çfarë duhet të mësoj nga kjo që po më tregon? Kështu që kur gjatë vitit të kaluar unë kam pasur disa momente mërzie, dorëzimi, që kanë të bëjnë kryesisht me punën time dhe jo me sferën personale. Në fillim kam thënë, kjo është e padrejtë, pse duhet të më ndodhë mua kjo? Pse është ky reagim? Pastaj me kalimin e kohës kam reflektuar dhe kam kuptuar që kjo gjë ndodh për një arsye, sepse ti duhet të marrësh një veprim tjetër. Ti duhet të mësosh nga kjo për të ndëmarrë një hap tjetër dhe për të përmirësuar diçka e për të bërë diçka ndryshe.
Mira Kazhani: Po flet për kohën e Big Brother tani?
Arbana Osmani: Edhe për kohën e Big Brother.
Mira Kazhani: Që të mos e bëj si ti me atë zarfin e zi, atë suspancën 25 minuta e 32 sekonda. Meqë ra fjala, ishte dikush që të thoshte kur duhet ta thoje emrin? Apo e vendosje ti kohën?
Arbana Osmani: Përgjithësisht jo. S`ka asnjë lloj rëndësie. Këto janë truqe televizive. Përgjithësisht është regjia që të lajmëron se kur duhet, pasi i ka fokusuar të gjithë konkurrentët dhe i ka marrë të gjitha emocionet e tyre. Domethënë, e pamë edhe Mirën, e pamë si reagoi Arbana dhe ok tani mund ta thuash.
Mira Kazhani: Po prisja dhe prisja dhe për të mos e bërë ashtu në fakt, si zarfi yt i zi, i famshëm, njerëzit duan shumë ta dinë çfarë ndodhi në të vërtetë me Big Brother. Ditët e fundit kur do të niste Big Brother Vip 3 u duk sikur në rrjet po zhvillohej një kryengritje. Njerëzit të donin ty. Janë mësuar me ty. Unë e kuptoj kur mësohen me një figurë. Por e thashë edhe në fillim, ti e di që e ke atë aset tëndin, meritë e jotja, fati yt që publiku të mbështet, të do.
Arbana Osmani: Po, edhe jam shumë e lumtur që më do. Jam akoma më e lumtur që ka vëmendje ndaj meje. Jam shumë me fat në gjithë këtë vëmendje. Na shohin, na dëgjojnë, na kuptojnë, na besojnë. Është shumë e rëndësishme të na dëgjojnë. E vlerësoj shumë këtë. Pavarësisht se më vjen keq t`ju zhgënjej. Nuk ndodhi asgjë. Unë e shpjegova pak momente më përpara. Vija nga një periudhë shumë e ngjeshur dhe vendimi im për të vazhduar projekte, dëshira, qoftë edhe qëndrimi më shumë me fëmijët, ndjekja e pasioneve të mia, hapja e një sipërmarrje të re, bërja e gjërave ndryshe. Unë e kam bërë Big Brother për shumë shumë vite. Kam bërë programe të tjera për shumë vite. E kuptoj që publiku është i lidhur me mua shumë në figurën e Big Brother, aq më tepër gjatë këtyre dy viteve të fundit, ku Big Brother ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm. Po ashtu unë e di që publiku mësohet edhe me një figurë tjetër. Iki unë, vjen dikush tjetër. Asnjëherë s`e kam menduar që është një herezi e madhe të lësh një projekt, sepse po lë të tjerët në baltë.
Mira Kazhani: Po ti e le në kulmin e vet. Në kulmin e suksesit tënd, të Big Brother si reality show. Nuk dukej e parashikuar. Dukej sikur gjithçka ndodhi në ato muajt e fundit.
Arbana Osmani: Vazhdimisht kur e di se gjërat mes meje dhe njerëzve të mi të afërt, për tematika të caktuara, janë krejt të qarta, nuk e ndjej të nevojshme të jap shpjegime publike, në të gjitha sferat. Kështu që nuk e ndjeva që unë në finalen e Big Brother duhet të thoja: Shiko se ky është edicioni im i fundit. Se unë jam një nga hallkat e programit. Njerëzit do ta ndjekin programin me ose pa mua, ç`rëndësi ka a do jem a s`do jem unë. Nuk e ndjej se duhet t`i jap gjithë këto kredite vetes për ta glorifikuar këtë personazhin tim dhe pozicionin tim. Shiko se unë po iki dhe po ju lë… Thashë, kur të fillojë Big Brother unë do bëj një urim nga zemra për ata të cilët do ta vazhdojnë programin edhe e mendova të mjaftueshme.
Mira Kazhani: Të besoj dhe të kuptoj, të them të drejtën. Se je një mami me tre fëmijë dhe mendoj se ke arritur edhe një profil publik që më duket sikur, e tha mirë edhe në një status drejtuesja e Top Channel: “Tani nuk ia kemi nevojën njëra-tjetrës”. Në një kuptim, ti je një institucion më vete. Gjërat e tua rrjedhin tani. Mund të bësh edhe pa një spektakël të madh. Ti ke ndërtuar një biznes. Duket sikur fituar edhe më shumë siguri, edhe siç po kuptoj unë nga ajo që po thua, je në një kohë që ke nevojë të shijosh edhe pak jetën me fëmijët e tu.
Arbana Osmani: Po, është e vërtetë. Po nuk është një arsye specifike. Janë shumë arsye bashkë që besoj që është thjesht fati im në këtë moment që të zgjedh të bëj gjërat që dua.
Mira Kazhani: Po, e ke ndërtuar, e ke bërë gati veten për të bërë këtë që do. Cili ka qenë Big Brother më i vështirë? Nata më e vështirë për ty?
Arbana Osmani: Nata më e vështirë?
Mira Kazhani: Nata më e vështirë.
Arbana Osmani: Kanë qenë disa. Nuk di të të ndaj njërën. Kanë qenë disa. Të gjithë mendojnë që vështirësia në një program si Big Brother është prezantimi. Në fakt jo. Të paktën jo për mua. Për mua jo. Një program si Big Brother të kërkon 24 orë në 24. Unë do kisha qenë më rehat po të isha mbyllur tek shtëpia e Big Brother sesa duke qenë “head of content” nga jashtë. Ke shumë përgjegjësi. Përgjegjësi ndaj konkurrentëve, përgjegjësi ndaj familjarëve, ke përgjegjësi ndaj drejtuesve të televizionit dhe shifrave të audiencës që duhet t`i mbash gjithë kohën lart. Ke përgjegjësi ndaj stafit që qëndron aty bashkë me ty dhe nuk bën absolutisht asgjë tjetër. Ato 5 muaj, flas të paktën për stafin e ngushtë, ne që punonim shumë, ti nuk jeton. Unë nuk kam jetuar 5 muaj Big Brother. Përveçse për Big Brother. Unë edhe kur isha me fëmijët e mi, nuk isha me fëmijët e mi. Telefoni im gjatë natës nuk ka qenë kurrë silent. Që në momentin kur fillon e deri kur mbaron Big Brother. Asnjëherë. Nuk bën dot një udhëtim. Nuk ha dot një darkë pa qenë tërësisht e lidhur me ata, me shtëpinë e famshme. Unë mendoj që nuk ka një arsye dhe një mënyrë tjetër për ta bërë Big Brother. Qofsha unë e gabuar, ose ndoshta jam dhënë unë më shumë seç duhet. Po këtë e mendoj fort, duke parë edhe përvojën dhe eksperiencën e simotrave tona në samite dhe konferenca që kemi bërë me të gjitha shtetet që e organizojnë. Është lloji i formatit i tillë. Të do të gjithën.
Mira Kazhani: Të sfilit.
Arbana Osmani: Të sfilit.
Mira Kazhani: Si i përballoje ti komentet gjatë periudhës së Big Brother? Se pjesa e komentuesve dhe e rrjetit më duket barra më e rëndë për t`u përballuar.
Arbana Osmani: Problemi me fansat është që duhet t`i mirëkuptosh dhe i kam mirëkuptuar. Ajo është pjesë e suksesit të programit. Pra nëqoftëse një program i caktuar, qoftë ky “Big Brother”, “Top Fest” apo “Dua të të bë të lumtur” krijon në publik fansa, ose njerëz e duan personazhin, e duan pavarësisht, kjo domethënë që ti ke pasur sukses, ke shkuar tek shikuesi. Kjo është shumë e rëndësishme, absolutisht shumë e rëndësishme të televizion. Bashkë me këtë ndonjëherë, jo gjithmonë, por ndonjëherë, vjen edhe një lumë komentesh dhe sulmesh e kërcënimesh vetëm virtuale. Kurrë unë nuk kam ndjerë as komentin më minimal në një përballje fizike me dikë. Përkundrazi, njerëzit janë jashtëzakonisht dashamirës edhe shumë të ngrohtë e shumë të dashur me mua. Vazhdimisht tek Bana`s vijnë klientë, të cilët kur më gjejnë aty kërkojnë të bëjnë foto. Edhe ishte një ditë shumë e zhurmshme. Ka qenë një e diel. Ishte një zonjë që po vinte drejt meje edhe tha: Mund ta bëjmë një foto? Po, i thashë, patjetër. U bëmë gati që të bënim foto edhe tha: Hajde mo – tha – se sa të kam sharë ty 5 muaj, nuk kam sharë njeri. I thashë: Ua, mua pse? Për momentin, nuk është se jetoj me Big Brother, ka kaluar. I thashë: Pse? Po atëherë për Big Brother. Po pse do foto tani, i thashë. Po hajt mo se kanë kaluar ato. Jo, i thashë, nuk do bëjmë foto. Se në një moment nuk e di pse, u ndjeva shumë keq. I thashë, jo nuk do bëjmë foto. Tha: Po pse, ça të bona unë, s`të thashë ndonjë gjë? Po unë kam ardh tek lokali, tha. Ti faleminderit që ke ardhur tek lokali. Unë madje do të të jap një tiramisu, por foto nuk do bëjmë. Ajo nuk e besonte. “S`ka mundësi. Unë s`të bëra ndonjë gjë. Kanë kaluar ato. Kanë ikur.” Pastaj kur e mendova më vonë u ndjeva keq. Thashë po edhe kot aman. Duhet ta kisha bërë një foto se ç`po më gjen. Po e di çfarë nuk më pëlqen? Nuk më pëlqen arroganca e të normalizuarit të dhunës dhe abuzimit. Unë e kuptoj. Ti u bëre fanse edhe më ofendove, shave mua, se mendove që unë po bëj një padrejtësi dhe është ok. Po minimalisht të kërkoj falje që të kam sharë 5 muaj rresht. Ia paskam fut kot. Hajde bëjmë një foto. Do kisha bërë 10. Po normalizimi i dhunës, qoftë kjo virtuale, qoftë kjo nëpër komente. Hë se je njeri i famshëm dhe normal që do shahesh. Hë mo se je gocë e bukur dhe normal që do shahesh. Hë mo se janë fëmijë edhe ashtu janë, do rrihen me njëri-tjetrin. Mua kjo nuk më pëlqen dhe nuk do doja kurrsesi që fëmijët e mi t`i rrisja me mendimin që këto janë gjëra normale. Nuk është normale. Unë kurrë në jetën time nuk e imagjinoj sesi mund të ulesh pranë tastierës së kompjuterit dhe të shkruash, të fyesh, të shash dikë, të kërcënosh dikë, ose më keq akoma të mallkosh fëmijët e dikujt. Nuk më shkon në mend. Dhe nuk do doja kurrsesi t`i rrisja fëmijët e mi duke menduar që këto gjëra janë normale. Këto nuk janë normale dhe nuk janë të drejta. Dhe nuk janë të duhurat.
Mira Kazhani: Janë këta luanët e tastierës. Po është një gjë për të cilën unë të kam vlerësuar Arbana. Ti ke 1 milion followers, në Instagram. Është si një armatë aty që zë be për ty. Se unë them ata nuk janë thjesht ndjekës. Më duken njerëz që të besojnë për atë që thua, atë që ha, atë që ble, atë që gatuan dhe është shumë e rëndësishme që ne që jemi në jetën publike, nuk ka rëndësi me sa followers e me sa ndjekës nga pas, ti mund ta ndryshosh jetën e dikujt edhe me një fjalë, me fjalët që thua. S`është e thënë të jetë vetëm e mirë, duhet të jetë e drejtë dhe duhet të jetë e vërtetë. Ne e kemi këtë kusurin e njerëzve publikë. Unë nuk jam dakord me ata njerëz publikë që thonë jemi mësuar, nuk më bën përshtypje, të thonë çfarë të duan. Kjo është si të pajtohesh me të keqen. Dhe kur ke reaguar, se të kam parë që ke reaguar disa herë për çështjen e dhunës dhe gjuhës së urrejtjes, edhe kur ke prezantuar spektakle të ndryshme, kryesisht në Big Brother, por edhe në Instagramin tënd, është shumë e rëndësishme dhe duhet që ne vërtet të bëjmë diçka. E them gjithmonë. Sado pak, një përpjekje që këta komentuesit – ata janë shumë të mirë… na duan në darkë edhe mërziten në mëngjes ndonjëherë, – por duhet të kuptojnë që fjala vret. Fjala ka peshë. Fjala ndërton një shoqëri të tërë. Fjala krijon një mentalitet. Ti do doje që Joni apo nipi im Drini të rriten në një shoqëri me një komunikim pak më të mirë. Jo kaq të vrazhdë. Është arrogancë e madhe aty në rrjet.
Arbana Osmani: Shumë dhe nuk e di sesi do vazhdojë dhe si do zgjidhet. Ndonjëherë kur mendoj të ardhmen, mendoj që mund të bëhet gjithmonë e më keq dhe thjesht duhet të jemi të përgatitur për këtë. Po sa mund të përgatitesh ndaj një lumi fyerjesh dhe sharjesh e ofendimesh. Duhet terapi. Mua po më ka ndihmuar terapia edhe për të përballuar këtë, por problemi është që ti ndodh që rritesh edhe forcon atë mburojën tënde, por ke të vegjlit e tu. Ke prindërit e tu…
Mira Kazhani: Cila është frika më e madhe për fëmijët e tu?
Arbana Osmani: Përpiqem që mos të prindëroj me frikë. Mos t`i rris duke menduar gjërat e këqija, frikërat dhe se çfarë do të vijë. Frika ime më e madhe ka të bëjë me mua sesa me fëmijët e mi. Që të rris fëmijë të pasigurt, duke menduar se unë do jem mburoja e tyre. Do të kisha preferuar që të rris fëmijë të cilët ia dalin vetë, që nuk kanë nevojë për mua. Vazhdimisht e kap veten duke qenë ndoshta pak si shumë protektive ndaj tyre dhe ndoshta do duhet t`i lë pak më të lirë që ta përballojnë vetë jetën.
Mira Kazhani: Për momentin po rriten nën hijen tënde, në pushimet e bukura që iu jep ti. Madje në Big Brother ti e the që e kishe të vështirë të dilje, por ti e gjeje kohën. Se ç`bëja ca kombinacione që papritur të shihja me Jonin që e çoje brenda një 24 orëshi diku.
Arbana Osmani: Po përpiqesha për të qenë prezente, por fëmijët janë të zgjuar, e kuptojnë. Sado që ti thua, ne do shkojmë tani 24 orë dhe unë do jem vetëm për ty, edhe pse unë përpiqesha mos ta shikoja telefonin, fëmijët e kuptojnë që ti nuk je për ta. Kur nuk je për ta, ata e dinë që ti nuk je për ta. E dinë që ti e ke mendjen tek puna apo i dinë streset edhe çfarë ti po përjeton. Kështu që kur mua më ka thënë Joni në një moment: “Mami, të lutem mos e bëj më këtë Big Brother. Bëj ndonjë program tjetër…” Nuk ka qenë kjo arsyeja pse unë nuk bëra Big Brother-in, sepse nuk dua që të jem kurrsesi aq e nënshtruar qoftë edhe ndaj kërkesës së djalit tim për të mos ndjekur karrierën, ëndrrat dhe punën time. Mendoj se është shumë e rëndësishme për mua si grua që të jem shumë e lumtur. Po ka qenë një nga gjërat që më ka ardhur keq. Se ata kanë shumë nevojë për ne tani. Do vijë momenti kur s`do kenë nevojë për ne edhe besoj që s`do më hapë as telefonin, por për momentin duket se ka nevojë për ne.
Mira Kazhani: Të shpresojmë që do të ta hapë gjithmonë telefonin.
Arbana Osmani: Mirë do ishte (qesh). Jam përgatitur edhe për këtë pjesë.
Mira Kazhani: Cila është pika jote më e fortë, mendon ti në temperament?
Arbana Osmani: S`e di. Mendoj që nuk jam ndonjë farë karakteri (qesh). Po them ca që m`i vënë në dukje të tjerët. Po marr referenca njerëzit që kam afër. Fakti që nuk dorëzohem. Nuk dorëzohem kollaj. Besoj që kjo është. Edhe përballë sfidave, edhe përballë vështirësive, unë vazhdoj.
Mira Kazhani: Unë do thoja je lucida, je e kulluar, e qartë për gjërat që do.
Arbana Osmani: Jo gjithmonë.
Mira Kazhani: Po më thuaj një moment që ia ke futur kot.
Arbana Osmani: Shumë momente që ia kam futur kot, po s`jam këtu unë për të treguar gjithë gabimet (qesh).
Mira Kazhani: Ja e shikon. Ti di çfarë thua.
Arbana Osmani: Ka plot momente që ia kam futur kot, por siç të thashë edhe në momentet që ia kam futur kot, kam pastaj analizat. Ja çfarë është një gjë që më pëlqen tek vetja. Di të bëj kthesën. Di të kuptoj gabimet e mia dhe nuk bëj asnjëherë të njëjtin gabim dy herë.
Mira Kazhani: Ja kjo është shumë e rëndësishme. Nuk më dukesh, ose ti di ta bësh mirë rolin, por nuk je paranojake. Përgjithësisht njerëzit publikë, të famshëm, të suksesshëm, mbështillen nga një lloj paranoje.
Arbana Osmani: Nuk jam edhe më vjen shumë keq. Se njoh shumë njerëz publikë të cilët kanë shumë frikë edhe nuk besojnë 100% te askush. Unë me thënë të drejtën, sidomos njerëzit e mi më të afërt, por jo vetëm njerëzit e mi më të afërt, edhe ty sot, nëqoftëse vendos që të shkoj me dikë, vendos, besoj 100%. Qoftë ky një partner biznesi, qoftë ky një partner në jetë, qoftë kjo një shoqe që më pëlqen, qoftë një person që të interviston, si rasti yt, për të marrë diçka pak më larg se marrëdhëniet e rëndësishme.
Mira Kazhani: Edhe kjo është marrëdhënie e rëndësishme. Atë që po thua me mua sot, i ke thënë me të gjithë marrëdhëniet e rëndësishme.
Arbana Osmani: Patjetër. Po nuk e jetoj me paranojat dhe me frikën se ky do të ma hedhë. Se kjo marrëdhënie nuk do të shkojë mirë. Unë nisem me mendimin që sido që të shkojë, unë do të jap gjithçka timen dhe këtë e bëj në miqësi, këtë e bëj në dashuri, këtë e bëj në punë, këtë e bëj në biznes, e bëj kudo. Nuk jam as e përllogaritur, as e kalkuluar, as e sigurt në zgjedhjet që bëj.
Mira Kazhani: Ama dukesh ashtu.
Arbana Osmani: Siç duket e maskoj. Po nuk jam. Përgjithësisht kam pasur nuhatjen e duhur, ose njerëzit e kanë kuptuar që nuk kam asgjë absolutisht asgjë për të fshehur. Jam e vërtetë dhe transparente.
Mira Kazhani: Për çfarë ke shkuar ti tek psikologia Anila Sulstarova, e cila ndodh që ka qenë edhe psikologia ime. M`u bë shumë qejfi që e the në 8 mars. Ti kishe bërë një listë me disa emra grash që kanë pasur ndikim në jetën tënde. Sigurisht që ishte e pritshme, e parashikueshme nga ti dhe nga unë që titulli i gjithë portaleve do të ishte për foton me Lori Hoxhën.
Arbana Osmani: Se s`bën lajm Anila.
Mira Kazhani: Jo për Anilën, por për faktin që Arbana Osmani, ajo vajza e sukseshme dhe që na duket kaq e sigurt. Të duket me familje, me tre fëmijë, me sukses, me biznes me të gjitha, me es, es, es, ajo kishte edhe një psikologe. Kishte bërë terapi. Edhe që e pranove dhe e the publikisht. Se iu bën mirë njerëzve. Njerëzit ende e kanë tabu, frikë dhe mendojnë që të gjithë njerëzit janë mirë edhe përtej shkëlqimit të tyre. Unë them pas shkëlqimit të çdokujt, ka vuajtje.
Arbana Osmani: Absolutisht! Kur e kam bërë atë postimin për gratë, nuk është se ka pasur diçka të paramenduar për të dhënë një mesazh të caktuar. Për asnjërën prej tyre. Ato janë thjesht gra shumë të rëndësishme në jetën time, të cilat të gjitha në një kuptim mua më kanë ndihmuar. Ai ishte një postim mirënjohje. Siç ishte për punëtoren, ashtu ishte edhe për Lorin. Në kuadër të mirënjohjes, unë do t`i jem gjithmonë falenderuese Anilës, psikologes time, sepse më ka ndihmuar në një moment të vështirë të jetës time, por jo vetëm në atë moment, sepse unë mendoj që sikur ta kishim luksin, psikologun duhet ta kemi afër gjatë gjithë kohës. Jo vetëm në momentet kur jemi të thyer e në momentet e vështira apo dramat e mëdha të jetës sonë. Jeta nuk është e lehtë. Ka shumë sfida. Ka shumë përballje. Ku ka më mirë se të kesh dikë me të cilin ti të mund të flasësh me veten. Se bashkëbisedimi me psikologun në fakt në thelb është një bashkëbisedim me veten. Ti flet me veten. Kur unë vendosa për herë të parë të shkoj tek psikologu, e mora këtë vendim pa pyetur askënd. Nuk e di se pse thjesht e ndava me time më dhe thjesht i thashë, unë do shkoj nesër tek psikologu. Dhe mamaja ime, e cila do më thotë pse me telendis gjithë kohës nëpër intervista, por këtë dua ta them për të treguar diçka tjetër. Jo se ajo nuk është një nënë e mirë, përkundrazi. Më tha: Tek psikologu? Pse do shkosh tek psikologu ti më mam? Ti ke mamin. Ne i flasim vetë. Ne jemi shoqe. Tregoja mamit gjithë gjërat. I thashë: Po jo se ndoshta mund të kem gjëra që nuk i diskutoj dot me ty. Po si, gjërat e tua do t`ia thuash një njeriu të huaj? Të dalin gjithandej tani, t`i marrë vesh gjithë Tirana gjërat e tua. Kjo ishte e dyta. I thashë: Për momentin, ajo sesi unë ndihem është shumë më e rëndësishme nëse i merr vesh Tirana apo jo. Unë kam nevojë. Pastaj natyrisht që bëri paqe me këtë gjë. Iu desh pak kohë. Akoma më tepër duke e parë pastaj sesi muaj pas muaji unë po ndihesha më mirë dhe po rekuperohesha. Stigma e shëndetit mendor që është në Shqipëri, duhet të ndryshojë patjetër. Vajtja tek psikologu, tek psikiatri, duhet të jetë normë, jo nevojë, në momente kyçe. Unë e di që kushton. Edhe nuk është e lehtë. Po nuk është se vështirësia është tek përballja me një njeri të huaj që do t`i thuash gjërat e tua. Vështirësia është tek përballja me veten tënde. Sa gati je ti për të folur me veten dhe për t`u shëruar. Se vajtja tek psikologu është dëshirë për t`u shëruar. Përgjithësisht njerëzit kur janë në momente të vështira nuk duan të shërohen.
Mira Kazhani: Arbana, nëse do doje ta thoje publikisht një fazë të vështirë të jetës tënde. The: Kam shkuar në një moment të vështirë. Kë do cilësoje ti si momentin më të vështirë në jetën tënde personale?
Arbana Osmani: Ka pasur shumë momente të vështira në jetën time. Nuk ka pasur një specifik që nga ky vit deri në këtë vit ka qenë një vit i vështirë. Ka pasur momente të vështira, ashtu siç ka pasur momente të bukura. Nuk di të bëj dallimin e njërit apo tjetrit. Fatmirësisht në momentet më të vështira unë kam pasur gjithmonë afër njerëz të cilët më kanë dashur dhe njerëz tek të cilët kam besuar. Nuk më kanë dashur të keqen. Më kanë këshilluar për mirë. Më kanë mbajtur afër. Më kanë përqafuar. Më kanë ndihmuar. Më kanë ngritur lart. Dua të kujtoj këtë, edhe në momentet e vështira.
Mira Kazhani: Ti flet me shoqet e tua. Shoqen tënde të ngushtë ke Xhemin njëherë. Ta themi se mos të rrëshqasë ndonjë dalje pa u përmendur Xhemi. Po ke dhe miq të tjerë nga Top Channel. Do bëje një listë të miqve të tu?
Arbana Osmani: Po janë shumë. Xhemi është ajo që del më shumë në Instagram. Në 25 vite patjetër që ka shumë miq nga Top Channel. Shumë njerëz të cilët i kam dashur. I dua. I vlerësoj. Njerëz që më kanë frymëzuar, që më frymëzojnë. Njerëz me të cilët kam bashkëpunuar para 25 vjetësh dhe kam punuar prapë pas 20 vjetësh. Takohemi gjithmonë me shumë dashuri edhe plot ka. Rovena Agolli, Rudina Xhunga, Alban Dudushi, Bojken Lako, Rez Aga. Gjithë bashkëpunëtorët e mi. Pastaj në një periudhë, në një moment të caktuar bëhen miq. Bëhen miq më të mirë kur nuk të lidhin më interesat. Bëhen shumë më të mirë akoma. Miqësitë janë akoma më të pastra.
Mira Kazhani: Çfarë vlerëson ti tek një mik, një mike, tek një miqësi që e ke të rëndësishme?
Arbana Osmani: Tolerancën. Zakonisht edhe miqësitë duan shumë investim nga të dyja palët, ashtu si çdo raport tjetër. Marr parasysh për shembull miqësinë me Xhemin. Duket një miqësi shumë e bukur dhe është në fakt një miqësi shumë e bukur. Po është një miqësi që ne e ndërtojmë dita-ditës. Nuk është një miqësi që është ndërtuar në 2008-ën edhe pastaj ka vazhduar për inerci. Pra edhe kur ka momente që ne mërzitemi me njëra-tjetrën, ia themi direkt njëra-tjetrës. Veprojmë pak si çift. Kjo është baza e çdo marrëdhënie. Të mos mbash inate. Të mos akumulosh. Nëqoftëse të mërzit diçka, shko dhe fol edhe tregoje. Që kjo gjë që ka lënduar edhe të ka mërzitur e si mund ta tejkalojmë këtë gjë.
Mira Kazhani: Sa mirë që ke Edin në jetë se me këtë çiftin me Xhemin, do kishe ngrënë dynjanë (qesh). Çfarë ndryshoi Edi në jetën tënde? Çfarë solli të re ai tek ti? Përveç dashurisë që dukesh kaq e dashuruar me Edin.
Arbana Osmani: Nuk jam.
Mira Kazhani: Edhe ai. Të dy dukeni të dashuruar.
Arbana Osmani: Edi është një njeri shumë i veçantë. Është një njeri që ka një lloj intuite, jo vetëm për mua, po ndaj të gjithë njerëzve që nuk e ka askush për të kuptuar personalitetin, karakterin e njerëzve. Në fillim më bënte shumë përshtypje. Thoja, po ky si më njeh mua ky. Tregonte gjëra për mua që unë nuk i dija për veten time. Mërzitesha. Si më njeh ky mua kaq mirë?
Mira Kazhani: Si ma lexoi mendjen.
Arbana Osmani: Ndodh edhe që ne të ndajmë të njëjtën ditëlindje. Jo të shenjë, të njëjtën ditëlindje. 7 maj jemi të dy. Imagjino çfarë tmerri është që ti paraprakisht jeton me një alterego tënden. Jemi të dy shumë të ngjashëm në karaktere, jashtëzakonisht shumë. I bëjmë shumë gjëra njësoj. Mendojmë shumë gjëra njësoj dhe as ka nevojë ndonjëherë t`i tregojmë njëri-tjetrit se çfarë po mendojmë, sepse ne e dimë se çfarë po mendojmë. Nuk e kam fjalën tani që kemi disa vite bashkë. Që në fillim ka qenë kështu. Edi në jetën time ka sjellë një lloj guximi dhe shprese që unë mund të bëj më shumë. Është motivuesi im më i madh. Është njeriu që më mbështet më tepër dhe që më jep forca sa herë që unë jam në dyshim për gjëra nëse mund t`i bëj apo jo. Për Edin duket sikur unë mund të bëj gjithçka. Ti ia del. Ti e bën. Po është edhe ai që të frenon në kohën e duhur, kur ndoshta nuk janë vendimet edhe zgjedhjet e duhura. Është një mik shumë i mirë. Ne jemi “best friends”, thotë Dielli. Jemi miq shumë të mirë. Na pëlqen shumë të rrimë me njëri-tjetrin.
Mira Kazhani: Je mami e tre fëmijëve. E di që ke një grua që të ndihmon në shtëpi. Ke edhe mami Fluturën që të ndihmon, por mami je vetëm ti. Askush nuk e bën dot mamin. Edhe tre nuk janë pak.
Arbana Osmani: Të qenit mami është dhurata më e madhe që mua më ka bërë ndonjëherë Zoti (preket). Ka pasur një moment në jetën time që unë mendoja se ndoshta nuk do të kisha fëmijë. Zoti më dha tre. Jam shumë, shumë e lumtur dhe falenderuese për këtë gjë. Është një nga falenderimet që unë i bëj Zotit çdo mëngjes dhe çdo darkë, fëmijët e mi. Më pëlqen shumë të rri me ta. Më japin shumë kënaqësi. A janë të lodhshëm? Patjetër. Shumë, ndonjëherë. Ja mbrëmë për shembull, Zoi është çuar rreth 20 herë gjatë natës. Thashë: Shumë bukur. Mami nuk del në televizor prej një viti. Nesër më në fund ka një intervistë që duhet të duket mirë dhe le të rrimë gjithë natën pa gjumë. Dhe isha shumë me nerva rreth orës 5 të mëngjesit. Pastaj këto kalojnë.
Mira Kazhani: Dukesh shumë mirë!
Arbana Osmani: Mëmësia është një gjë që e kam dashur gjithmonë. Kur e do një gjë shumë dhe ajo realizohet, nuk mund të mos jesh falenderuese, mirënjohëse dhe e lumtur.
Mira Kazhani: E di çfarë më kujtove tani? Para shumë vitesh, vërtet nuk e mbaj mend njeriun që ma ka thënë. Duhet të ketë qenë një regjisor televizioni dhe tha: E mirë, e mirë ajo Arbana, po nuk i del një lot në ekran.
Ndërkohë pasi je bërë mami, të kam parë aq shpesh duke qarë, ke kulluar në ekran. Mendon që ta ka shkaktuar mëmësia këtë?
Arbana Osmani: Po. Ka ndikuar. Mëmësia ka ndikuar shumë. Ka ndikuar edhe dëshira ime për t`u lëshuar pak tani.
Mira Kazhani: Edhe siguria, pjekuria.
Arbana Osmani: Nuk është se nuk ka pasur momente ku unë nuk përlotesha, por për të treguar këtë gruan e fortë mendoja që nuk do duhej të hidhej lot, të qaje dhe të tregoje emocionet e tua se ti je prezantuese dhe ti nuk duhet t`i tregosh emocionet e tua. Me kohën kam kuptuar që forcën e tregon njeriu ndonjëherë duke treguar edhe dobësi. Kjo vjen me kohën ndoshta.
Mira Kazhani: Vjen me pjekurinë.
Arbana Osmani: Nuk kam më frikë t`i tregoj emocionet e mia. Edhe në televizion kur më ka ardhur për të qarë, kam qarë. I kam mbajtur, por nuk është se nuk kanë qenë emocionet aty.
Mira Kazhani: Dashuria si e ndryshon njeriun?
Arbana Osmani: E zbukuron.
Mira Kazhani: Se është tjetër dashuria 18 vjeç dhe mendoj ndryshe për dashurinë që vjen pas 30-tave.
Arbana Osmani: S`e di. S`di të ta them këtë, por di të them që dashuria e bën njeriun shumë të bukur. Më të bukur të bën dashuria që ti jep, sesa dashuria që ti merr. Unë jam një njeri që jepem shumë. Kur dashuroj, dashuroj 100%.
Mira Kazhani: Bën çmendurira për Edin?
Arbana Osmani: Po patjetër që bëj çmendurira për Edin. Si mos të bëj çmendurira për Edin.
Mira Kazhani: E mendoi dhe nuk e thotë (qesh). Se e pashë që të erdhi një çmenduri, por thjesht nuk po e thoje.
Arbana Osmani: Bëj patjetër. Bëj unë për të. Bën ai për mua.
Mira Kazhani: Dikush që na ndjek, që mund të ketë këtë pyetje, – se unë jam e sigurt që janë shumë ata që do ta ndjekin këtë podcast, edhe më vjen shumë mirë që e zgjodhe këtë platformë, është pjesë e inteligjencës tënde dhe kjo, e pjekurisë mund të thotë: O Arbana, ke pasur fat apo i ke shërbyer fatit ti? Dhe çfarë të ka bërë ty me fat?
Arbana Osmani: Unë nuk mendoj që jam ndonjë njeri jashtëzakonisht i zoti, një vajzë – grua me ndonjë talent të jashtëzakonshëm apo me ndonjë disiplinë dhe kulturë pune të jashtëzakonshme. Mendoj që e kam një lloj talenti gjithsesi, se talent është. Kam zgjedhur njerëzit e duhur. Kam zgjedhur njerëzit e duhur në të gjitha fushat. Njerëz të cilëve iu besoj. Që më këshillojnë si duhet, atëherë kur duhet, që më ndihmojnë të qëndroj me këmbë në tokë. Mendoj që kjo është gjithashtu e rëndësishme. Mënyra sesi i ndërton marrëdhëniet dhe sesi i ruan ato. Unë i ruaj shumë marrëdhëniet, sepse për mua njerëzit që kanë vlerë duhen mbajtur afër. Nuk duhen luftuar.
Mira Kazhani: E kam vënë re. Ti nuk i ndryshon bashkëpunëtorët.
Arbana Osmani: Jo. Nuk i ndryshoj bashkëpunëtorët. Jam me fat. Kam disa njerëz shumë të zotë, shumë të aftë, shumë të talentuar. Me energji shumë të mira dhe jo, nuk dua t`i ndryshoj bashkëpunëtorët. Po jam edhe Dem. Ne s`duam të ndryshojmë asgjë.
E vërtetë apo thashethem: “Arbana Osmani ka kërkuar 600 mijë euro për Big Brother Albania.”
Arbana Osmani: Nëqoftëse unë do të kisha vendosur paratë si një pikë vendimtare që ka të bëjë me vendimet e mia të rëndësishme, do kisha qenë o shumë, shumë e pasur o shumë, shumë e varfër. Paratë nuk janë kurrë në zemrën time. Puna ime bëhet me shumë zemër. Në çdo aspekt. Qoftë në biznes, qoftë në televizion, qoftë në çdo hapësirë. Nuk janë kurrë paratë ato që orientojnë një vendim. Janë shumë të rëndësishme dhe mendoj qeë gjithsecili nga ne duhet të kërkojë patjetër para nëae mendon se vlen, por kurrë duke qenë ato vendimtare për një zgjedhje të caktuar.
Mira Kazhani: “Arbana Osmani do të prezantojë me Luiz Ejllin dhe Edi regjisor, Big Brother Vip Kosova, sezonin që vjen.”
Arbana Osmani: Unë po jetoj të tashmen. Sot jemi këtu, bashkë, ballë për ballë.
Mira Kazhani: Shumë mirë jemi.
Arbana Osmani: Jemi shumë mirë.
Mira Kazhani: “Arbana Osmani nuk flet me Luiz Ejllin.”
Arbana Osmani: Çdo konkurrent që është bërë pjesë e Big Brother Vip në mënyrë të veçantë vajzat, sepse vajzat janë ato që janë linçuar më tepër dhe vazhdojnë linçohen më tepër në këtë vend, ka respektin tim maksimal për kontributin që ka dhënë në atë format. Për guximin dhe për gjithçka që ka bërë dhe i ka dhënë suksesin programit. Kjo është një absurditet. Luiz Ejlli i pari, por të gjithë, nga i pari tek i fundit, kanë respektin tim maksimal dhe vlerësimin tim maksimal për atë çfarë kanë bërë në Big Brother. Raporti im përgjithësisht me të gjithë konkurrentët, fillon dhe mbaron me fillimin dhe mbarimin e Big Brother. Kështu që nëse na takon jeta, unë jam shumë e lumtur që t`i jap një përqafim të gjithëve. Edhe të gjithë ma kanë këmbyer, kështu që ky është komenti im.
Mira Kazhani: Unë nuk të pyeta më parë në fakt, nëse ti e ndjek Big Brother-in e këtij viti.
Arbana Osmani: Të them të drejtën, është e pamundur mos ta ndjekësh Big Brother-in e këtij viti, sepse je e rrethuar. Big Brother është një program nga i cili ti nuk mund të izolohesh prej tij, aq më tepër ne që jemi njerëz të medias dhe jemi gjatë gjithë kohës në kontakt. Nuk e kam parë shumë në televizor, por mjafton që të ndjek 5 sekonda për të kuptuar… Kur je brenda atyre ingranazhe, ti e kupton shumë mirë.
Mira Kazhani: Si të duket?
Arbana Osmani: Më duket që po shkon shumë mirë. Kam lexuar që ka tejkaluar edhe suksesin e të parit dhe të dytit dhe jam shumë e lumtur për gjithë skuadrën.
Mira Kazhani: Ok, duket si Big Sister më shumë. Vajzat kanë marrë në dorë situatën.
Arbana Osmani: Kaq shumë s`e kam ndjekur, të them të drejtën.
Mira Kazhani: Do ta riprezantoje një Big Brother? Një reality show?
Arbana Osmani: Këtë nuk e di. E di pse? Se Big Brother unë e kam prezantuar 7 vite në fillim dhe mendoja që e kisha mbyllur me Big Brother. Pastaj më erdhi oferta nga televizioni për ta ribërë sërish edhe thashë ok, e provojmë edhe njëherë. Bëmë edicionin e 10-të. Pasi mbarova edicionin e 10-të që nuk është se ishte një edicion i shkëlqyer, krahasuar me të tjerët, mendova thashë ndoshta ka ardhur momenti të mos bëhet më Big Brother, ose unë s`dua të bëj më Big Brother. Pastaj çfarë ndodhi? Pandemia. Dhe befas Big Brother ishte më in se kurrë më përpara dhe u rikthye. Mua m`u ripropozua si një sfidë kësaj here. Se ishte një sfidë që të isha edhe autore dhe ishte një barrë shumë e madhe. E morën këtë sfidë përsipër edhe shkoi shumë mirë edicioni i parë. Në fillim kisha menduar, do bëj këtë edicionin e parë edhe do jetë me kaq. Kur Lori thoshte: Nuk e di se ç`do bëjmë vitin tjetër, se nuk do të ketë edicion më të mirë se ky i pari. Ajo e thoshte në anglisht: “Nothing will gonna top this”. Nuk do t`ia kalojë. Unë i thashë: Do ta bëjmë më të mirë të dytin. Dhe e morëm si sfidë, që i dyti do ishte akoma më i mirë se i pari. Kështu që s`di të të them. Mund të të them, jo. Besoj që e kam ezauruar dhe po kërkoj për gjëra të tjera që të më japin një rritje profesionale, sepse është një gjë e mbaruar. Po nëqoftëse paraqitet në një moment të caktuar, nuk e di pas sa kohësh, si një sfidë, ndoshta mund ta pranoj. Nuk e di, nuk është se kam bërë plane. Përpiqem t`i marrë gjërat ditë pas dite.
Burimi: Tirana Post, Podcast ZëMeMirën