Edhe pas mbylljes nga autoritetet, të konsideruarat si ‘grupe te ferrit’ Albkings rikthehen në platformën Telegram me kërcënime e shantazhe ndaj vajzave dhe grave.
Disa javë ‘Albkings’ me mbi 72 mijë anëtarë, u mbyll nga autoritetet e Kosovës me arrestimin e dy të rinjve që e administronin. Sot, me mbi 25 mijë anëtarë kryesisht djem, ky grup vijon aktivitetin e tij.
Pjesëtarët e grupit bëjnë kërkesa për vajza shqiptare apo të huaja dhe administratorët apo edhe meshkuj të tjerë që kanë akses për të publikuar, postojnë foto pa censurim dhe numra telefoni të vajzave, numra të cilët pas verifikimit të Report TV, rezultojnë të fikur. Sipas burimeve vajzat që iu publikohen numrat në Telegram, detyrohen t’i ndryshojnë për shkak të shqetësimeve që marrin. Djem të tjerë publikojnë foto intime të ish të dashurave të tyre, për t’u hakmarrë pas ndarjes. Ka dhe nga ata të cilët, pas debateve me pjesëtarë të grupit, arrijnë deri te kërcënimi me publikimin e fotove intime të familjarëve të tyre.
“Të rinj e të reja tërësisht të pa përmbushur shpirtërisht, mezi presin të gjejnë një mundësi apo rrugë që përmbush egon e tyre shpirtërore duke e vënë tjetrin në vështirësi, duke e parë në kushtet e lakuriqësisë. Pas tyre qëndrojnë njerëz me karakter të dobët”, tha sociologia Entela Binjaku.
Disa të tjerë i përdorin të tilla grupe në Telegram për ushtrim prostitucioni. Report TV kontaktoi me një prej tyre.
“Unë jam trans o zemra, 80 e kam orën”.
Sociologia Entela Binjaku e sheh këtë fenomen edhe si një nevojë përmbushje seksuale nga meshkujt, ndaj i këshillon vajzat dhe gratë të jenë të kujdesshme.
“Të jenë më të kujdesshme të mos i besojnë gjithkujt dhe të kenë këshilla nga familjarë sa herë ndihen se dikush po i vë në vështirësi”, shtoi Binjaku.
Report TV denoncoi pak ditë më parë këtë fenomen si dhe kontaktoi me një nga vajzat e denigruara në grupin “Shqipe87 MEME”, e cila pasi u njoftua për publikimin e fotove të saj, ndoqi rrugën ligjore. Nga sektori i Krimit Kibernetik në Policinë e Tiranës, Report TV iu tha se shumë shpejt do të ketë arrestime, pas ankesave të shumta nga qytetarët.
Ndërkohë Gjykata e Lartë e Spanjës e ka bllokuar paraprakisht aplikacionin Telegram pas ankesave të njerëzve për publikim të materialeve të tyre pa leje./m.j