Presidenti francez tregon muskujt, Macron publikon fotot duke bërë boks

Emmanuel Macron tregon muskujt. Jo në një mënyrë figurative, por në kuptimin e parë të fjalës. Presidenti i Francës ka publikuar imazhe të tij duke grushtuar një thes boksi.

Reagimet kanë qenë të shumta dhe të përziera, ka nga ata që e admirojnë dhe ata që e kritikojnë. Fotografitë e publikuara në rrjetet sociale nga fotografja e tij zyrtare, janë bardh e zi dhe në to, Macron ka shtrënguar dhëmbët me forcë me bicepsin e tendosur teksa stërvitet. Përdorues të ndryshëm në rrjete sociale nisën ta krahasonin atë me personazhin e filmave aksion, Rocky Balboa, ndërsa të tjerë flasin për kohën e publikimit të imazheve, që vijnë pasi presidenti i bëri thirrje Europës që të ashpërsojë reagimin ndaj luftës së nisur nga Rusia në Ukrainë.

Disa njerëz mendojnë se fotografitë e shfaqin Macron duke u stërvitur për t’u ndeshur në një luftë boksi me presidentin Vladimir Putin, i cili gjithashtu shfaqet shpeshherë nën petkun e një “burri të fortë dhe të egër” që merret me stërvitje.

Spektri politik në Francë e ka komentuar gjerësisht. “Çfarë humbjeje për frymën progresive. Një komunikim politik shumë i varfër”, thotë një deputete nga të gjelbrit. Kurse një profesor historie thekson se imazhet janë “pjesë e një burrërie neo-populiste të cilën disa liderë e shfaqin sot, duke nisur nga mjeshtri i këtij zhanri, Vladimir Putin”.

Presidenti rus është fotografuar vazhdimisht duke peshkuar, qëlluar me armë, kalëruar gjysmë i zhveshur dhe në aktivitete të ndryshme ku tregonte forcën.

Ndërkohë, në rrjet kishte shumë prej atyre që dyshonin se imazhet e Macronit ishin ndryshuar me fotoshop për ta nxjerrë atë më muskuloz, pavarësisht se bashkëshortja e tij Brigite, ka bërë me dije më herët se presidenti francez kryen seanca stërvitore në boks dy herë në javë.

/f.s

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com