Policia zbardh vrasjen e Gentjan Bejtjes: Kemi arrestuar Ilir Brahimin dhe Edison Haxhiun. Për atentatin u përdor një…

Gentjan Bejtja u ekzekutua me breshëri kallashnikoivi më 15 mars, në banesën e tij në Larushkt të Fushë Krujës.

Policia ka zbardhur ngjarjen e rëndë kriminale dhe ka shoqëruar dy persona.

Gjithashtu është sekuestruar një makinë, e cila dyshohet se është përdorur për largimin e autorëve nga vendi i ngjarjes.

Njoftimi i policisë:

Siç kemi njoftuar më parë, më datë 15.03.2024 është vrarë me armë zjarri, brenda rrethimit të banesës së tij, shtetasi Gentjan Bejtja.

Për hetimin e kësaj ngjarje të rëndë kriminale, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka ngritur një grup të posaçëm hetimor, i cili në drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka kryer dhe vazhdon të kryejë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me iniciativë apo të urdhëruara nga Prokurori.

Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se autorët janë afruar tek banesa e shtetasit Gentjan Bejtja me automjetin e markës “Land Rover Discover” me ngjyrë të zezë dhe pas kryerjes të vrasjes po me këtë automjet janë larguar në aksin rrugor Larushkë – Thumanë, pas kalimit të mbikalimit të Fushë Krujës, janë kthyer majtas dhe në fshatin Hasan kanë djegur automjetin e mësipërm.

Nga kryerja e veprimeve hetimore është vërtetuar se autorët janë larguar me një automjet tip “Golf” me ngjyrë të zezë, pa targë në pjesën e pasme, duke ndjekur intererarin nga vendi i djegies së automjetit në drejtim të rrugës kryesore Thumanë-Fushë Krujë, kanë devijuar djathtas në mbikalimin e Fushë Krujës dhe janë larguar në drejtim të fshatit Bubq, Krujë.

Nga analiza e informacioneve të marra nga inteligjenca policore si dhe këqyrja dhe marrja e kamerave të sigurisë, është bërë i mundur identifikimi i automjetit tip “Golf” me targë AB960GG, në pronësi të shtetasit Edison Haxhiu, lindur në Milot, Kurbin dhe banues në Tiranë.

Po kështu ka rezultuar se ky automjet është përdorur edhe nga shtetasi Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi, alias Mançellari, lindur në Milot, Kurbin dhe banues në Tiranë.

Më datë 19.03.2024, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë bënë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e automjetit tip Golf me ngjyrë të zezë me targë AB960GG në pronësi të shtetasit E. H. dhe shoqërimin në ambientet e policisë.

Në vazhdim të veprimeve hetimore u bë e mundur gjetja dhe shoqërimi në ambientet e policisë edhe të shtetasit I. B., alias I. B., alias I. M.

Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit I. B., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë me mbishkrimin VALTER me tetë fishekë, një armë zjarri e markës BENELLI e cila mbahej me lejen e organeve të policisë, një brez me njëzet e nëntë fishekë arme zjarri, pesë pajisje si ato të radiove marrëse-dhënëse me mbishkrimin MIDLAND XT70, një pasaportë e Republikës të Kosovës në emër të shtetasit Kosovar B. A., e dyshuar e falsifikuar pasi fotografia është e ngjashme me fotografinë e shtetasit I. B., një kartë identiteti e Republikës të Kosovës në emër të shtetasit Kosovar B. A., e dyshuar e falsifikuar pasi fotografia është e ngjashme me fotografinë e shtetasit I. B., dy aparate celular të markës IPONE dhe një aparat celular i markës SAMSUNG.

Të gjitha provat e administruara i janë nënshtruar ekzaminimeve kriminalistike dhe janë siguaruar elemente provash me prespektivë për hetimin e mëtejshëm të ngjarjes.

Në përfundim u arrestua në flagrancë Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi, alias Ilir Mançellari, i datëlindjes 21.04.1983, lindur në Milot, Kurbin dhe banues në Tiranë, për veprat penale “Mbajta pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”, parashikuara nga nenet 278/2 dhe 186 të Kodit Penal.

Po kështu ky shtetas është i dyshuar si një nga autorët e vrasjes së shtetasit Gentjan Bejtja.

U ndalua shetatsi Edison Haxhiu, i datëlindjes 30.07.1994, lindur në Milot, Kurbin dhe banues në Tiranë, për kryerjen e veprës penale, “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, parashikuar nga neni 80 i Kodit Penal.

Grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë vazhdon me intesitet punën për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarje të rëndë kriminale, identifikimin dhe vënien para përgjegjsisë ligjore edhe të autorëve të tjerë.

Për ecurinë e hetimit do të informojmë median dhe publikun në vazhdimësi.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com