Reperi i njohur shqiptar dhe kuzhinieri, Dudi, ishte i ftuar së fundmi në “Shok Podcast” ku ndau eksperiencën e takimit me këngëtaren me famë botërore, Rita Ora.
Gjatë vizitës së Ritës në Prishtinë në nëntorin e vitit të kaluar për të festuar ditëlindjen e saj, ajo dhe familja e saj zgjodhën një nga restorantet më të njohura të mishit në kryeqytet, të cilin Dudi e menaxhon bashkë me familjen e tij.
Dudi zbuloi për publikun se çfarë pjate speciale u shërbye për yllin. “Ritës i kemi bërë bisht të lopës me muskuj”, tha ai gjatë intervistës, duke treguar se Rita e kishte shijuar aq shumë sa “hante me gishta”.
Kur u pyet në lidhje me detajet financiare të darkës nga moderatorët e podcastit, reperi dhe kuzhinieri bëri me shaka që pavarësisht se restorantet janë për të fituar, nuk ishte Rita Ora ajo që pagoi për darkën.
“Po, patjetër që ka paguar, se për çfarë e kemi ne restorantin? Nejse s’ka paguar ajo, ka paguar tjetër kush (në emër të saj)”, tha Dudi, duke lënë të kuptohet se shpenzimet e asaj nate mund të kenë qenë një dhuratë nga dikush tjetër për këngëtaren.