Atentati në Fushë-Krujë/ Makina e përdorur nga autorët ishte vjedhur në Shkodër

Detaje të reja janë mësuar nga atentati me armë zjarri pasditen e djeshme në Fushë Krujë ku u ekzekutua me breshëri kallashnikovi ish-polici i burgjeve, Gentjan Bejtja, një emër i njohur në botën e krimit.

Gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat raporton se gjatë natës janë bërë kontrolle banesash dhe shoqërime të personave me precedentë kriminalë në zonë.

Valter Bami, një prej personazheve të botës së krimit me të cilin viktima ka pasur konflikte të hapura, është njëri prej të shoqëruarve në polici. Bami ishte një prej të arrestuarve pas atentatit të 4 korrikut 2023 ndaj Bejtjas në Larushkë të Krujës, ku u plagosën djemtë e Gentian Bejtes, 10 dhe 13 vjeç dhe u vra kunati i tij Ramazan Sino. Atij iu gjet barut në duar dhe për pasojë u la në arrest shtëpie, masë që përfundoi në 18 janar të këtij viti.

Në vendngjarje janë gjetur rreth 50 gëzhoja kallashnikovi që dyshohet të jenë qëlluar nga 2 armë të ndryshme, ndërsa makina “Land Rover” dhe targat e saj, rezultojnë të jenë vjedhur në Shkodër në gusht të 2023-it.

Vrasja e 43 vjeçarit në oborrin e banesës së tij dyshohet të ketë qenë një mesazh i koduar nga autorët. Ndërsa nga ana tjetër familjarët e Bejtjas nuk kanë bashkëpunuar me policinë për të dhënë itinerarin e tij para krimit që tronditi Fushë-Krujën.

Dje, pas ekzekutimit të Gentjan Bejtjas, makina e autorëve u gjet e djegur rreth 5 kilometra më larg vendngjarjes, në fshatin Hasan, ndërsa brenda ishin edhe 4 kallashnikovë të djegur të cilët dyshohet se janë përdorur nga ekzekutorët për atentatin.

/f.s

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com