Gentian Bejtja u ekzekutua pasditen e djeshme në hyrje të banesës së tij në fshatin Larushk të Fushë-Krujës.
Ish-polici i kishte shpëtuar tre herë atentateve, por teksa shkoi dje në banesë ku ishte vetëm nëna e tij, armiqtë mesa duket e kishin mbajtur nën vëzhgim.
Ai u qëllua me 30 plumba nga një distancë e afërt, siç bëjnë me dije burimet për Report TV. Pjesa më e madhe e plumbave e ka kapur në fytyrë dhe në trup.
Gentian Bejtja ish-polic i burgjeve dhe një eksponent i njohur i botës së krimit është ekzekutuar në banesën e tij, ku u kthye pas 8 muajsh.
Më 4 korrik 2023 Gentian Bejtja i shpëtoi një atentati, ku ndaj tij është qëlluar me breshëri kallashnikovi teksa lëvizte me makinë në zonën e Niklës, i shoqëruar nga Klodian Stafuka. Në atë kohë Gentian Bejtja mbeti i plagosur. Nga ky atentat mbeti i vrarë vëllai i bashkëshortes së tij, Ramazan Sino, dhe iu plagosën dy fëmijët e tij, 13 dhe 8 vjeç. Ramazan Sino ndërroi jetë në vend si pasojë e plagëve të marra
Në 9 janar të vitit 2022 Gentian Bejtja i shpëtoi një tjetër atentati, në afërsi të Niklës në Fushë-Krujë. Si pasojë e të shtënave, sapo kishte furnizuar mjetin me karburant, mbeti i plagosur Klodian Stafuka, i cili ndodhej në mjet me Gentian Bejtjan.
Në shtator të vitit 2016, ndaj tij u bë një atentat me tritol në fshatin Nikël të Krujës. Ai ka qenë duke udhëtuar me makinën e tij tip “Tuareg”, në fshatin Nikël të Krujës, kur nga poshtë mjetit shpërtheu eksplozivi që e dëmtoi rëndë në këmbë.
/f.s