“Anmer Hall”, një shtëpi fshati e shekullit të 19-të në Angli ka shërbyer prej kohësh si një vendstrehim i dashur për familjen Mbretërore Britanike.
Megjithatë, ngjarjet e fundit e kanë vënë këtë pronë në qendër të vëmendjes globale, mes shqetësimeve për shëndetin dhe vendndodhjen e Kate Middleton.
Princesha e Uellsit e ndan këtë rezidencë me Princin William pasi çifti e mori si dhuratë martese nga mbretëresha e ndjerë Elizabeth II. Së fundmi mediat britanike raportojnë se ajo po strehohet në këtë shtëpi pas një operacioni misterioz në bark dhe nuk pritet të kthehet në angazhimet publike deri pas Pashkëve.
Teoritë rreth shëndetit të Middleton arritën kulmin gjatë fundjavës kur u publikua një foto familjare e saj, për të cilën Princesha kërkoi falje publike pasi pranoi se e kishte edituar.
Një burim pranë familjes mbretërore ka ngritur dyshimet se problemet shëndetësore të Middleton mund të jenë më serioze sesa mendohej fillimisht.
“Ideja që Kate të mos jetë në gjendje të ulet për një set fotografik më thotë se kjo është një situatë shumë më serioze nga sa mund të imagjinohet”, thotë burimi për “The Post”.
Pavarësisht trazirave, Middleton u pa për pak kohë duke u larguar nga Kështjella Windsor së bashku me Princin William të hënën. Çifti nisi një udhëtim në Westminster Abbey, dalja e parë publike e Middleton në më shumë se dy muaj që nga operacioni i saj.