“I pashë të shtrirë në tokë”, vrasja e dyfishtë në Korçë, fqinjët: Nëna e Emiljanos kujdesej për babain e autorit

Qyteti i Korçës u trondit në orët e vona të mbrëmjes së djeshme nga një ngjarje kriminale ku Emiljano Pine u vra me armë zjarri nga Ilo Lluka, e ky i fundit më pas vrau veten.

Një ditë pas krimit të rëndë, banorët e lagjes kanë treguar të tjera detaje në momentet e para të ngjarjes.

“Isha në shtëpi kur ndodhi ngjarja. Dëgjova krisma, dola jashtë dhe i pashë të dy të shtrirë në rrugë. I njihja të dy personat. Emiljano ishte djalë i shkëlqyer. Nëna e Emiljanos e mbante në shtëpi babain e Ilos prej disa vitesh dhe kujdesej për të, që kur ishte edhe i shoqi gjallë”, tregon një banor.

“Dëgjova krisma mbrëmë. I thashë gruas mos janë fishekzjarre dhe nuk dola në moment. Kur dola për të mbyllur derën pashë çfarë kishte ndodhur. Nuk njihja asnjërin prej tyre”, tregon një tjetër banore.

Jashtë kamerave, fqinjët e Emiljano Pines kanë treguar se familja jetonte me qira. Ndërkohë që babai i autorit të ngjarjes bashkëjetonte me familjen e Emiljanos prej 4 vitesh. Nëna e Emiljanos kujdesej për shkak të pamundësive të tij fizike dhe moshës. Sipas banorëve, babai i Emiljanos kishte 1 vit që kishte ndërruar jetë dhe ata e vazhdonin bashkëjetesën.

Sipas burimeve nga policia, bëhet me dije se pista kryesore e hetimeve mbetet trashëgimia e një apartamenti në pronësi të babait të autorit të ngjarjes, i cili donte t’ja linte si trashëgimi djalit të kujdestares.

Ilo Lluka ishte emigrant në Greqi dhe pasi ka mësuar vendimin e të atit për shtëpinë, është kthyer nga shteti grek dhe mbrëmjen e djeshme vrau Emiljanon e më pas veten.

61-vjeçari Lluka njihet si përdorues i pijeve alkoolike ndërsa ekspertiza mjeko-ligjore ende nuk e ka konfirmuar nëse ka qenë nën efektin e alkoolit në momentin kur kreu krimin.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com