“Kam gruan dhe fëmijët këtu”/ Gjykata britanike i jep dritën jeshile dëbimit të trafikantit shqiptar

Një trafikant shqiptar droge, i burgosur në Britaninë e Madhe do të deportohet pasi gjykata vendosi se kërcënimi që ai përbën për sigurinë publike është më i madh sesa pretendimet e ngritura prej tij për të drejtat e njeriut.

Neritan Kolludra, i përshkruar në shtypin vendas si kreu i një grupi të krimit të organizuar shqiptar, u dënua me 14 vjet e katër muaj burg dhjetorin e  2019 për trafik kokaine.

Dy vjet më vonë, ministrat kërkuan dëbimin e tij, por 40 vjeçari, të cilit i ishte dhënë qëndrimi i përhershëm në Mbretërinë e Bashkuar dhe kishte gruan me tre fëmijë- ngriti pretendimin se kjo do të përbënte shkelje të së drejtës së tij për një familje sipas Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Megjithatë, në një vendim që mund të përbëjë një precedent për qindra të burgosur të tjerë të përballur me ekstradimin, dy gjyqtarë në gjykata të ulëta dhe të larta të emigracionit, dolën në përfundimin se ndikimi i dëbimit në jetën e tij familjare “kapërcehej nga rreziku serioz i kryerjes së një vepre penale dhe cënimit të sigurisë publike”.

Kolludra, tani, sipas Telegrafit, do të duhet ta vuajë pjesën tjetër të dënimit në një burg shqiptar. Kjo pason vendosjen e ligjeve të reja që lehtësojnë dëbimin e kriminelëve të huaj e synojnë trajtimin e krizës së mbipopullimit në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar, thuhet në shkrim, ku citohet dhe një deklaratë e sekretarit të drejtësisë, Alex Chalk, i cili pohon se “shkelësit e huaj duhet t`i vuajnë dënimet e tyre jashtë vendit, dhe jo në burgjet britanike në kurriz të taksapaguesve tanë”.

“Ligjet tona të reja na lejojnë të dëbojmë më herët të burgosurit e huaj dhe marrëveshja e nënshkruar me Shqipërinë përshpejton ndjeshëm largimet në atë vend”, shtoi ai.

/f.s

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com